Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 355/2021 të 18 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI233/21 dhe KI05/22

Parashtruesit: Dardan Gashi dhe Yll Gashi

Shkarko:

KI233/21 dhe KI05/22, Parashtrues: Dardan Gashi dhe Yll Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 355/2021 të 18 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI233/21 dhe KI05/22, Aktvendim i 12 majit 2022, publikuar më 31 maj 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vepër penale, provat e administruara

Parashtruesit e kërkesës ishin shpallur fajtor nga Gjykata Themelore (i) për veprën penale  të vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje në tentativë dhe (ii) veprën penale të vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje. Pas ankesës së tyre, Gjykata e Apelit kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën vetëm përkitazi me dënimin me ndërsa pjesët tjera të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore mbeten të pandryshuara. Në kërkesat e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë parashtruesit e kërkesës u ankuan duke pohuar se: (ii) Aktgjykimi i shkallës së parë është i pasakte dhe kundërthënës dhe nga i njëjti nuk është vërtetuar përvetësimi i kundërligjshëm i dobisë pasurore, si element i veprës penale të vjedhjes së rëndë në tentativë; dhe (ii) Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, bazohet në prova të papranueshme, duke iu referuar kështu deklaratës së S.M, të dhënë para noterit. Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuara pretendimet e parashtruesve të kërkesës duke arsyetuar se (i) dispozitivi i aktgjykimit përmban përshkrim të hollësishëm dhe në mënyrë të plotë janë theksuar të gjitha elementet esenciale të që përbëjnë figurën e veprës penale të vjedhjes së rëndë në tentativë dhe (ii) deklarimi i S.M nuk është marrë si provë e pranueshme, dhe përcaktimi i fajësisë së parashtruesve të kërkesës është bazuar në provat e administruara.

Pretendimet e parashtruesve të kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese janë: (i) që gjykatat e rregullta nuk paraqesin fakte vendimtare e të cilat janë elemente qenësore për ekzistimin e veprave penale të vjedhjes së rëndë, si dhe nuk përcakton elementin qenësor të përvetësimit të dobisë së kundërligjshme pasurore; (ii) zbatim arbitrar të ligjit, për shkak të përshkrimeve faktike në dispozitivit VII dhe VIII të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, ku sipas tyre kjo paraqet rrethana tjera në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 361 të KPPRK-së, që sipas tyre, gjykata këto fakte duhet t’i vlerësojë me ndërgjegje dhe të jap vlerësimin e saktë për secilën provë veç e veç; (iii) aktgjykimi i shkallës së parë dhe dytë, si fakt vendimtar e marrin si provë deklaratën noteriale të dëshmitarit S.M, si provë të papranueshme. Parashtruesit e kërkesës poashtu theksojnë se gjykatat e rregullta kanë cenuar parimin e barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit.

Gjykata në vlerësimin e saj, fillimisht theksoi se nuk ka juridiksion për të vlerësuar nëse gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë apo për të vlerësuar nëse gjyqtarët e gjykatave të rregullta kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për të përcaktuar fajësinë e një parashtruesi të kërkesës dhe ky pretendim bie në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, por megjithatë Gjykata Kushtetuese mund të bëjë vlerësimin e interpretimeve ligjore të gjykatave të rregullta përjashtimisht dhe atë vetëm nëse ato interpretime mund të kenë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme.

Në rastin konkret, Gjykata konsideroi se vendimet e gjykatave të rregullta ofruan arsyetimin përkatës për shpalljen fajtor për veprën penale të vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje dhe për veprën penale të vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje në tentativë dhe gjykatat e rregullta ishin bazuar në prova përkatëse e konkretisht (i) deklaratën e S.M në cilësinë e dëshmitarit, i cili ka dëshmuar lidhur me kryerjen e veprave në shtëpinë e tij dhe vëllait të tij; (ii) raportin për shikimin e vendit nga njësiti i forenzikës; (iii) deklaratat e parashtruesve të kërkesës ku të njëjtit kanë përshkruar rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale. Këto deklarata të parashtruesve të kërkesës sipas Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit janë në përputhje të plotë me raportin e shikimit të vendit të forenzikës dhe fotodokumentacioni nga vendi i ngjarjes. Gjykatat e rregullta, deklaratën noteriale të S.M, nuk e morën si provë të pranueshme.

Më pas, Gjykata lidhur me pretendimin e parashtruesve për shkelje të barazisë së armëve theksoi se parashtruesit nuk kanë arsyetuar se pse po pretendojnë shkelje të barazisë së armëve. Rrjedhimisht, Gjykata i konsideroi këto pretendime të parashtruesve të kërkesës si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

Parashtruesit:

Dardan Gashi dhe Yll Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale