Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 34/2022 të Gjykatës Supreme, të 21 shkurtit 2022, në lidhje me Aktgjykimin PAKR nr. 62/2021 të Gjykatës së Apelit, të 15 qershorit 2021 dhe Aktgjykimin PKR. nr. 176/1] të Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, në Ferizaj, të 29 dhjetorit 2020
Nr. të lëndës KI58/22
Parashtruesit: Avni Ndrecaj
KI58/22, Parashtrues i kërkesës: Avni Ndrecaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 34/2022 të Gjykatës Supreme, të 21 shkurtit 2022, në lidhje me Aktgjykimin PAKR nr. 62/2021 të Gjykatës së Apelit, të 15 qershorit 2021 dhe Aktgjykimin PKR. nr. 176/1] të Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, në Ferizaj, të 29 dhjetorit 2020
KI58/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2022, publikuar më 28 tetor 2022
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Ndaj parashtruesit të kërkesës ishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore nën dyshimin se kishte kryer veprën penale “Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”. Parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor nga Gjykata Themelore me Aktgjykimin [PKR.nr.176/19] dhe iu shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti. Më pas, ky aktgjykim, pas procedurës ankimore, u vërtetua nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.
Në këtë rast, pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në esencë ndërlidhen me (i) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, me arsyetimin se, a) në rastin e tij nuk ishte kryer ekspertiza neuropsikiatrike, b) vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike nga gjykatat e rregullta dhe me zbatimin e gabuar të ligjit, aktgjykimet e gjykatave të rregullta nuk i kanë arsyetuar në mënyrë të artikuluar konkludimet e tyre si përgjigje ndaj pretendimeve të tij dhe se gjykatat e rregullta e kanë bazuar vendimmarrjen e tyre në prova të papranueshme; (ii) shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, me arsyetimin se cilësia e versionit shqip të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit nuk plotëson standardet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Parashtruesi gjithashtu pretendon (iii) shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 30 dhe 33 të Kushtetutës.
Gjykata, duke marrë parasysh të gjitha elaborimet dhe gjetjet që përmban aktvendimi, konkludoi që: i) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në kuptim të a) të së drejtës për ekspertizë psikiatrike, “Gjykata, në bazë të shkresave të lëndës, konstatoi se ekspertiza psikiatrike është kryer gjatë procedurës para Gjykatës Themelore, gjithashtu, në bazë të deklaratës së parashtruesit dhe nga shkresat e lëndës rezulton se kjo çështje nuk është ngritur nga parashtruesi i kërkesës përgjatë procedurës para Gjykatës së Apelit. Për më tepër, Gjykata vëren se sipas shkresave të lëndës rezulton se kjo çështje nuk është ngritur as para Gjykatës Supreme përmes kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë”. Si rrjedhojë, për sa i përket këtij pretendimi, respektivisht pretendimit për ekspertizën neuropsikiatrike, Gjykata konstaton se i njëjti duhet të refuzohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, b) sa i përket pretendimit për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, Gjykata konkludoi që pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me faktet dhe provat vendimtare janë qartazi të pabazuara mbi baza kushtetuese, si pretendime të “shkallës së katërt“, siç është përcaktuar në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, (ii) sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së se cilësia e versionit shqip të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit nuk plotëson standardet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Gjykata theksoi se ajo nuk do të merret në mënyrë specifike me këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës, për arsye se Gjykata Supreme i ka dhënë parashtruesit të kërkesës arsyetime të mjaftueshme për këtë çështje. Ndërsa sa i përket pretendimeve të tjera (iii) për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 30 dhe 33 të Kushtetutës, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”.
Gjykata e miratoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mosmbajtjen e seancës publike dhe e refuzoi kërkesën për vendosje të masës së përkohshme.
Përfundimisht, Gjykata e shpalli kërkesën, në tërësinë e saj, të papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (1) (b) dhe (2) të Rregullores së punës.
Avni Ndrecaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale