Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 280/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 21 korrikut 2022 

Nr. të lëndës KI165/22

Parashtruesit: Besim Hajdari

Shkarko:

KI165/22, Parashtrues: Besim Hajdari, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 280/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 21 korrikut 2022 

KI165/22, Parashtrues Besim Hajdari i 17 janarit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesës qartazi e pabazuar  

Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 586/2021] të Gjykatës Themelore ishte shpallur fajtor lidhur me veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së, duke i shqiptuar dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 viteve. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit përkitazi me sanksionin penal. Gjithashtu, Prokuroria Themelore dhe ajo e Apelit kishin paraqitur ankesë lidhur me sanksionin penal duke kërkuar që ndaj parashtruesit të shqiptohet dënim më i lartë. Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [PAKR. nr. 228/2022] e aprovoi ankesën e Prokurorisë Themelore duke ndryshuar Aktgjykimin [PKR. nr. 586/21] të Gjykatës Themelore të 21 marsit 2022 përkitazi me dënimin duke i shqiptuar parashtruesit të kërkesës dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh për veprën penale “Vrasje në tentativë”, kurse e kishte marrë si të vërtetuar dënimin në kohëzgjatje prej 1 viti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe kësisoj kishte shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 5 vite e 6 muaj ndaj parashtruesit të kërkesës. Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme përmes  Aktgjykimit [Pml. nr. 280/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë me arsyetimin se “se në mënyrë të drejtë është zbatuar ligji penal nga të dy gjykatat e instancave më të ulëta dhe të dënuarit i është shqiptuar dënimi i përcaktuar brenda kornizës së minimumit dhe maksimumit të dënimit të përcaktuar për veprën penale të shpallur fajtor”. 

Konstatimet e gjykatave të rregullta, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar se të njëjtat janë në kundërshtim me nenin 30, 31, 32 si dhe 33 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i mosaplikimit të duhur të nenit 403 të KPPRK-së me arsyetimin e vetëm që Gjykata e Apelit në kundërshtim me nenin 403 të KPPRK-së ka ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. 

Nën dritën e kësaj, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon: (i) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, meqë sipas tij nuk është interpretuar dhe zbatuar drejtë neni 403 i KPPRK-së me rastin e ndryshimit të sanksionit penal nga Gjykata e Apelit në dëm të parashtruesit të kërkesës; si dhe (ii) pretendimet për shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese të garantuar me nenin 29, 32 dhe 33 të Kushtetutës.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon mosaplikim dhe mungesë interpretimi të duhur të nenit 403 të KPPRK-së me rastin e ndryshimit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, Gjykata vëren se (i) Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [PAKR. nr. 228/2022] kishte ndryshuar Aktgjykimin [PKR. nr. 586/21] të Gjykatës Themelore të 21 marsit 2022 vetëm përkitazi me dënimin duke iu referuar nenit 383 të KPPRK-së, pasi Prokuroria Themelore dhe ajo e Apelit kishin paraqitur ankesë; (ii) Gjykata Supreme kishte sqaruar se Gjykata e Apelit nuk e kishte kontestuar çështjen e gjendjes faktike, meqë parashtruesi i kërkesës në shqyrtimin gjyqësor kishte bërë pranimin e fajësisë; (iii) si dhe Gjykata Supreme kishte konstatuar se në bazë të nenit 385 të KPPRK-së nuk ishin tejkaluar kompetencat ligjore lidhur me shqiptimin e dënimit.

Gjykata vëren se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre kanë dhënë arsye bindëse dhe të mjaftueshme duke shtjelluar në detaje bazën ligjore të aplikueshme mbi të cilën i kanë mbështetur vendimet e tyre, duke arsyetuar në mënyrë logjike se përse në rrethana të këtilla të parashtruesit të kërkesës aplikohen dispozitat ligjore të lartpërmendura.

Si përmbledhje, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës dhe të KEDNj-së, janë qartazi të pabazuara, sepse të njëjtat cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së parë (i) të “shkallës së katërt” dhe kategorisë së tretë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.

Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa, në tërësinë e saj, duhet të deklarohet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Besim Hajdari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale