KI236/23, Parashtrues: Robert Smakaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 245/2023] të 5 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme
KI236/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 qershorit 2024, publikuar më 17 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga aktakuza e Prokurorisë Themelore e ngritur kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale Lëndim i rëndë trupor nga neni 189, paragrafi 1 i KPRK-së. Gjykata Themelore përmes aktgjykimit të saj vendosi ta shpall fajtor parashtruesin e kërkesës dhe e dënoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve. Parashtruesi i kërkesës kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit refuzoi ankesën e tij. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim në të njëjtën gjykatë. Gjykata e Apelit në rigjykim prapë kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës prapë kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Gjykata vërejti se fillimisht Gjykata Themelore, e më pas edhe Gjykata e Apelit, duke u mbështetur në rrethanat rënduese për parashtruesin e kërkesës, pasi që parashtruesi i kërkesës kishte qenë edhe një herë i dënuar me një vendim të formës së prerë, kanë vlerësuar se në rastin konkret dënimi i shqiptuar ndaj parashtruesit të kërkesës është dënim i drejtë, i ligjshëm, në harmoni me peshën dhe me mënyrën e kryerjes së veprës penale, me cilësitë personale të akuzuarit dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të tij, dhe nuk ka vend që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim tjetër apo t’ i zëvendësohet me dënim me gjobë.
Në rastin konkret, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për mbrojtjen e ligjshmërisë drejtuar Gjykatës Supreme, kishte theksuar se gjykata e shkallës së dytë fare nuk e ka arsyetuar aktgjykimin e saj lidhur me ankesën e parashtruar nga ana e tij që ka të bëjë me zëvendësimin e burgimit në kohëzgjatje prej 4 muajve me dënim me gjobë, kur i pandehuri e jep pëlqimin që dënimi me burg t’i shndërrohet me dënim me gjobë ku është paraparë edhe me dispozitën e nenit 44 të KPRK-së. Të njëjtit pretendim të parashtruesit, Gjykata Supreme i ishte përgjigjur në aktgjykimin e saj, ku kishte theksuar se zëvendësimin e dënimit dispozita ligjore nuk e ka përcaktuar si normë imperative, por si mundësi e vlerësimit diskrecional të gjykatës, dhe që në rastin konkret zëvendësimi i dënimit nga dënimi me burgim në dënim me gjobë nuk është i justifikueshëm.
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta, konsideroi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, ai është diskriminuar në raport me personat e tjerë pasi që në disa raste gjykatat kanë vendosur që të zëvendësojnë dënimin me burgim me dënim me gjobë ndërsa në rastin e tij nuk kanë vepruar njëjtë. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend se është diskriminuar, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri tek diskriminimi, dhe se nuk ka treguar se rrethanat e rastit të tij janë të njëjta ose identike me rastet e përmendura. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.
Robert Smakaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri