KI198/23, Parashtrues Nevruz Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PML.nr. 201/23], i 30 majit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI132/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 5 shtator 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes, mosshterim substancial, barazia e armëve, vendim i arsyetuar gjyqësor
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktgjykimin [P.nr.195/2021], e 14 prillit 2022, të Gjykatës Themelore përmes të cilit shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprën penale “Mundësim ose detyrim në prostitucion” nga paragrafi 1 i nenit 234 të KPRK-së në bashkëkryerje, dhe e dënoi të njëjtin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 (njëmbëdhjetë) muajve. Më 16 shkurt 2023, Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar është konkret dhe i qartë. Ndërsa, më 27 prill 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, të cilën më pas e plotësoi më 12 maj 2023. Më 30 maj 2023, Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së parashtruesit dhe vërtetoi aktgjykimet e shkallës më të ulët, me arsyetimin se në të njëjtat kanë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me refuzimin e pyetjeve të parashtruesit të kërkesës, të cilin arsyetim e pranon edhe kjo gjykatë si të ligjshëm. Gjykata Supreme në lidhje me pretendimet e ngritura në plotësimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë përkitazi me kërkesat për përjashtim të prokurorit të çështjes dhe shkresat e tjera, për të cilat ka vendosur kryeprokurori përkatës konsideroi nuk mund të jenë objekt i shqyrtimit para saj.
Parashtruesi i kërkesës, në kuadër garancive procedurale të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, në esencë, pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në: (i) shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural për shkak të mospjesëmarrjes së mbrojtësit të tij në marrjen në pyetje të dëshmitarëve në fazën e hetimeve, dhe mos përjashtimit të gjyqtarit dhe prokurorit të rastit; si dhe (ii) mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor, për shkak të mosadresimit të pretendimeve të tij ankimore, me fokus pretendimit të tij në lidhje me marrjen parasysh të veprave penale të mëhershme, të cilat sipas tij kanë arritur rehabilitimin ligjor, si rrethana rënduese gjatë caktimit të dënimit.
Përkitazi me pretendimin për shkeljen e parimit të barazisë së armëve, pasi që shtjelloi parimet e bazuara në praktikën e saj dhe të GJEDNJ-së për këtë çështje, si dhe dispozitat relevante të legjislacioni në fuqi, Gjykata vlerësoi se në dritën e rrethanave të rastit konkret, rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk kishte argumentuar nëse ka kërkuar që mbrojtësi i tij të marrë pjesë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve në fazën e hetimeve, e cila kërkesë është parakusht për lejimin e tij nga prokurori i shtetit dhe se kjo vërtetohet edhe nga Vendimi respektiv i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ku u refuzua ankesa e parashtruesit për shkelje disiplinore nga ana e prokurorit të rastit. Për pasojë, Gjykata i shpalli këto pretendime si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes. Ndërsa, pretendimin për përjashtimin e gjyqtarit të rastit, Gjykata e konsideroi të papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike.
Përkitazi me pretendimin për mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor, pasi që shtjelloi parimet e bazuara në praktikën e saj dhe të GJEDNJ-së për këtë çështje, Gjykata vlerësoi se pretendimet për mosadresimin e pretendimeve ankimore të mbrojtjes dhe administrimit të pasaktë të provave, përfshirë deklaratave të dëshmitarëve, ishin trajtuar në mënyrë të mjaftueshme nga gjykatat e rregullta, duke shpjeguar raportin midis fakteve të paraqitura dhe zbatimit të bazës ligjore në të cilin ajo është thirrur, gjegjësisht në çfarë mënyre ato vijnë në korrelacion me njëra tjetrën dhe rrjedhimisht të njëjtat i shpalli të papranueshme në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Ndërsa, përkitazi me adresimin e pretendimit ankimor në lidhje me marrjen parasysh të veprave penale të mëhershme, të cilat sipas tij kanë arritur rehabilitimin ligjor, si rrethana rënduese gjatë caktimit të dënimit, Gjykata vlerësoi se pretendimi i tillë nuk ishte ngritur para Gjykatës Supreme përmes kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë e as plotësimit të kësaj kërkese, andaj si rrjedhojë e refuzoi si të papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë të papranueshme bazuar në pikat b) dhe d) të paragrafit 1 dhe paragrafit 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Nevruz Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale