Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 151/2022 të 14 prillit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI 86/22

Parashtruesit: Pjetër Boçi

Shkarko:

KI86/22, Parashtrues Pjetër Boçi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.151/2022 të 14 prillit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI86/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2023, publikuar më 14 qershor 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta ne gjykim të drejtë, barazia para ligjit, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale, ku parashtruesi i kërkesës nga organi i akuzës ishte akuzuar nën dyshimin se kishte kryer veprat penale të sanksionuara me nenet 343 [Marrja e Ryshfetit] dhe 345 [Ushtrimi i Ndikimit] të Kodit Penal të Republike së Kosovës. Në lidhje këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, me aktgjykimin [P. nr. 206/2015] e 7 dhjetorit 2016 e kishte liruar parashtruesin e kërkesës nga akuza për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” dhe e kishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit”, për të cilën e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) muajve. Ky aktgjykim ishte bërë i formës së prerë pasi ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Paraprakisht, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kishte dorëzuar kërkesat KI76/18, me të cilën ishte trajtuar kërkesa e I-parë e tij për rishikimin e procedurës penale, dhe e cila ishte shpallur e papranueshme nga Gjykata për shkak se nuk ishte ratione materiae, në pajtim me Kushtetutën dhe KI21/19 e cila ishte shpallur po ashtu e papranueshme për mospërmbushje të kritereve procedurale të pranueshmërisë. Në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar një kërkesë të trete (KI86/22) në Gjykatë, nëpërmjet së cilës kontestoi vendimet e gjykatave të rregullta përkitazi me dy kërkesa për rishikimin e procedurës penale. Përkitazi me kërkesën e II-dytë procedura kishte përfunduar me Aktgjykimin [Pml. nr. 370/2021] e 4 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme cila e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë dhe kishte vërtetuar vendimet e instancave më të ulëta, sepse këto të fundit nuk kishin gjetur prova të reja për rihapje të rastit penal të gjykuar. Parashtruesi i kërkesës ende pa përfunduar procedura për kërkesën e dytë, kishte parashtruar kërkesë të III-tretë për rishikimin e procedurës penale, e cila ishte hedhur poshtë fillimisht nga Gjykata Themelore me Aktvendimin  [PK. nr. 132/21] e 8 tetorit 2021, më pas nga Gjykata e Apelit me Aktvendimin [PN. nr. 1206/2021] e 8 dhjetorit 2021. Kundër këtyre vendimeve, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila me Aktgjykimin [Pml. nr. 151/2022] e 14 prillit 2022, e refuzoi të njëjtën, me arsyetimin se gjykatat e instancës më të ulët kanë vlerësuar drejtë se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për rishikimin e procedurës penale nga neni 423, par. 1 të KPPK-së.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese në substancë pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, i ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Gjykata në këtë rast shqyrtoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe bazuar në shkresat e lëndës vërejti se esenca e pretendimeve të tij në thelb ka të bëjë me barazinë para ligjit dhe parregullsinë e procesit gjyqësor. Në vlerësimin e pretendimit për shkelje të barazisë para ligjit, Gjykata iu referua praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj), Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur asnjë dëshmi e cila do të mund të provonte se përgjatë procesit gjyqësor ka pasur diskriminim, përkatësisht se i njëjti ishte trajtuar ndryshe me ndonjë palë tjetër në një situatë të njëjtë ose të ngjashme, e cila mund të ketë përfituar nga ndarja e drejtësisë në kushte të njëjta. Për më tepër, Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës e kishte ndërtuar pretendimin e tij për diskriminim, mbi bazën e religjionit, gjegjësisht të besimit fetar të cilit i përkiste, por duke mos shpjeguar tutje se përse një pretendim i tillë për shkelje të së drejtës së garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 të KEDNj-së, do të ishte i bazuar. Gjersa për sa i përket pretendimeve për parregullsi të procesit gjyqësor, Gjykata fillimisht vlerësoi procedurat përkitazi me ushtrimin e kërkesës e II-dytë për rishikimin e procedurës penale, dhe konstatoi se në këtë pjesë kërkesa nuk i përmbushte kriteret procedurale pasi që kërkesa ishte parashtruar jashtë afatit kohor prej (4) katër muajve, nga data kur parashtruesit të kërkesës i ishte dorëzuar Aktgjykimi [Pml. nr. 370/2021] i 4 nëntor 2021 i Gjykata Supreme. Ndërsa sa i përket kërkesës së III- trete për rishikimin e procedurës penale, Gjykata pasi aplikoi parimet e përgjithshme në lidhje me aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së, konstatoi se në rrethanat e rasti konkret këto nene nuk zbatohen përkitazi me procedurat për rishikimin e ndonjë rasti, përkatësisht kur një person, dënimi i të cilit është bërë i plotfuqishëm, bën kërkesë për rishikimin e rastit të tij dhe gjatë kësaj procedure nuk është “akuzuar për ndonjë vepër penale”. Në këtë këndvështrim, Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me refuzimin nga ana e gjykatave të rregullta të kërkesës së III-tretë për rishikimin e procedurës penale, nuk ishin ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, i takojnë kategorisë së tretë (iii), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj si të tilla, në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; (II) kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimet për parregullsi të procesit gjyqësor, në ndërlidhje me kërkesën e II-dytë për rishikimin e procedurës penale, u deklarua e paafatshme në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1, c) të Rregullores së punës; (III) kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimet për parregullsinë e procesit gjyqësor, në ndërlidhje me kërkesën e III-tretë për rishikimin e procedurës penale nuk ishte ratione materiae, në pajtim me Kushtetutën. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me konstatimet e mësipërme u shpall e papranueshme, në pajtim me rregullin 39, (1, c), (2) dhe (3, b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Pjetër Boçi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale