Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.40/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI53/23

Parashtruesit: Paradiso Sh.P.K.

Shkarko:

KI53/23, Parashtrues: Paradiso Sh.P.K., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.40/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me kërkesëpadinë e palës së interesuar Eurometal Sh.p.k., kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të kompensimit të dëmit për shkak të mos përmbushjes së kontratës, duke i propozuar gjykatës që pas administrimit të provave ta detyroj parashtruesin e kërkesës që në emër të kompensimit të dëmit t’ia kompensoj dëmin material në shumën prej 14,366.35 euro, si dhe dëmin në formë të fitimit të humbur, që të gjitha me kamatë ligjore. Gjykata Themelore aprovoi si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke detyruar parashtruesin e kërkesës, Paradiso sh.p.k, që në emër të borxhit për punët e kryera nga kontrata e 27 dhjetorit 2016, paditësit t’ia paguaj shumën e mjeteve në lartësinë prej 3,266.35 €, (tremijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë euro e tridhjetë e pesë cent) me kamatë prej 8% në vit, e cila fillon të rrjedh nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë; si dhe refuzoi si të pa bazuar kërkesëpadia e palës së interesuar-Eurometal sh.p.k, me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet parashtruesi i kërkesës që në emër të borxhit për punët shtesë lidhur me vendosjen e kranit me elemente përcjellëse, t’ia paguaj shumën e mjeteve në lartësinë prej 11,100.00 €, me kamatë prej 8%, në vit e cila fillon të rrjedh nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë të 11 shkurtit 2019, e deri në pagesën definitive. Pas ankesës së palës së interesuar Eurometal Sh.p.k., Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e tij, duke vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Përfundimisht, Gjykata Supreme pranoi si të bazuar revizionin e palës së interesuar Eurometal Sh.p.k, duke ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës se Apelit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, rrjedhimisht duke aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit “Eurometal” Sh.p.k., duke e detyruar parashtruesin e kërkesës që në emër të përmbushjes së kontratës lidhur me vendosjen e kranit me elemente përcjellëse, t’ia paguaj 11,110.00 euro me kamatë prej 8%. Po ashtu, Gjykata Supreme detyroi parashtruesin e kërkesës që në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore të paguaj edhe shumën prej 2,654.00 euro.

Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës Supreme, duke ngritur pretendime për mosarsyetimin e vendimit gjyqësor si rezultat i vërtetimit të gabuar të së drejtës materiale, të cilat sipas tij kanë rezultuar me shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme, vlerësoi në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konkrete adresoi aspektet e rastit për sa i përket aprovimit të kërkesëpadisë të palës së interesuar Eurometal Sh.p.k, me ç’ rast kishte sqaruar në plotni që: (i) bazuar në vlerësimin e saj, vendimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë përfshihen me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, dispozitës së nenit 648 të LMD-së, kjo për faktin se në rastin konkret ishin plotësuar kushtet për aplikimin e dispozitës së nenit 615 të LMD-së; (ii) si rezultat i plotësimit të kushteve për aplikimin e dispozitës së nenit 615 të LMD-së, dhe bazuar në përmbajtjen e kësaj dispozite ishin plotësuar kushtet për të konsideruar të lidhur kontratën për veprën, pasi nuk është kontestues fakti se krani është punuar dhe vendosur në objektin e parashtruesit të kërkesës, dhe se krani i shërben të njëjtit, dhe për të funksionuar objekti për destinimin që e ka, krani është i domosdoshëm; (iii) bazuar në dispozitën e nenit 615 dhe paragrafin 3 të nenit 616 të LMD-së, plotësohen të gjitha kushtet për tu konsideruar si kontratë për veprën, pasi për kontratën për veprën nuk kërkohet forma e shkruar e kontratës, por mjafton që palët të janë marrë vesh që të kryejë një punë të caktuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se si të tilla, këto pretendime i takojnë kategorisë së pretendimeve qartazi të pabazuara në baza kushtetuese si “të pambështetura apo të paarsyetuara ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Paradiso Sh.P.K.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile