Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, E. Rev.nr. 23/2020, të 27 prillit 2020, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI 120/20

Shkarko:
Përmbledhje

Rasti nr. KI120/20, Parashtrues: N.T.SH. “Virtuo”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, E. Rev.nr. 23/2020, të 27 prillit 2020, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë për anulim të pjesshëm të kontratës, kërkesë qartazi e pabazuar 

Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin në vijim: KEDNJ).

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, për (i) anulimin e pjesshëm të kontratës së furnizimit [KSV/014. 12. 051] në mes të MSH-së si autoritet kontraktues dhe sipërmarrjes së përbashkët “Printec L.L.C & N.T.SH Virtuo”, si operator ekonomik, vetëm për palën e paditur Printec” L.L.C, me pretendimin se nënshkruesi i kontratës Y.Sh, nuk ishte Drejtor i Përgjithshëm i palës së paditur dhe se i njëjti nuk ka pasur autorizim për nënshkrimin e kontratës; dhe (ii) kërkesës për kompensim të dëmit, për shkak të paraqitjes jo legjitime dhe të paautorizuar të Y.Sh. me ç’ rast parashtruesi pretendon se i është shkaktuar një dëm material prej 30,000.00 € dhe fitim i humbur prej 830,000.00 €. Gjykata Themelore e kishte  refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, të paraqitur kundër të paditurit Printec” L.L.C. Duke vepruar sipas ankesës përkatëse dhe kërkesës për revizion, Gjykata e Apelit, e të cilën e konfirmon edhe Gjykata Supreme kishin refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës, i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar (i) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, përkatësisht neneve 33, 109 dhe 110 të LSHT-së; (ii) shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, përkatësisht paragrafit 1 të nenit 72 të LMD-së.

Gjykata fillimisht thekson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm, përbëjnë kategori pretendimesh, të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, në parim, i konsideron si “pretendime të shkallës së katërt“. Prandaj, duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar“, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi te pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores se punës.

Për pasojë dhe përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

N.T.SH. “Virtuo”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile