KI29/24, Parashtrues Gulten Kulak, Semsettin Krusa, Ali Mercan, Yasar Mercan dhe Adile Mercan, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit CPP.3/2021 të 30 shtatorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI29/24, Aktvendim për papranueshmëri i 25 shtatorit 2024, i publikuar më 4 nëntor 2024;
Fjalët kyçe: përsëritja e procedurës; ratione materiae; res judicata;
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kërkesëpadi për njohjen e pronësisë mbi disa paluajtshmëri në Prizren, të dorëzuar nga parashtruesit në emër të trashëgimisë. Gjykata Komunale fillimisht miratoi kërkesën, por më vonë Gjykata Supreme e refuzoi, duke konstatuar se prona ishte shitur Komunës së Prizrenit. Pas përpjekjeve për përsëritjen e procedurës me prova të reja, përfshirë një listë posedimi, Gjykata Supreme vendosi përfundimisht se kjo provë nuk ishte e vlefshme dhe refuzoi përsëritjen e procedurës. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se akti i kontestuar ka shkelur nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, duke cenuar parimin e sigurisë juridike dhe parimin “res judicata”. Ata argumentojnë se vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme i kanë privuar nga përfitimi i një vendimi të formës së prerë në favorin e tyre. Sipas tyre, çështja e rihapjes së procedurës ishte gjykuar dhe nuk duhej të rihapej, duke u bazuar në nenin 194 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, që kufizon shqyrtimin e ankesave brenda shkaqeve të treguara.
Gjykata ritheksoi se, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së nuk është i zbatueshëm në kërkesat për përsëritjen e procedurës gjyqësore. Në rastin konkret, propozimi për përsëritjen e procedurës ishte refuzuar nga Gjykata Supreme dhe rrjedhimisht neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së nuk është i zbatueshëm dhe rrjedhimisht kërkesa nuk është në pajtueshmëri ratione materiae me nenin 31 të Kushtetutës.
Gulten Kulak, Semsettin Krusa, Ali Mercan, Yasar Mercan dhe Adile Mercan
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Civile