Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit C.nr. 131/2017 të Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Deçan

Nr. të lëndës KI 91/20

Shkarko:
Përmbledhje

Rasti nr. KI91/20, Parashtrues: Qerim Berisha, Fadil Gashi, Tahir Morina, Selim Berisha, Naim Berisha, Burim Berisha, Z. B., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit C.nr. 131/2017 të Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Deçan 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, uzurpim i pronës, rast pa kontest  

Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 7 [Vlerat], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 35 [Liria e Lëvizjes] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Në shqyrtimin nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, Ligj dhe me Rregullore të punës, përkitazi me personin Z.B, Gjykata konkludoi se kërkesa është e paplotë sepse lidhur me të njëjtin, përkundër dy kërkesave, para Gjykatës nuk është dorëzuar asnjë autorizim i vlefshëm. Në anën tjetër, lidhur me personat Selim Berisha dhe Naim Berisha, Gjykata konstaton se kërkesa është e paplotë sepse të njëjtit nuk përmenden fare në vendimin e kontestuar. Rrjedhimisht të njëjtit nuk kanë dëshmuar para Gjykatës përmes ndonjë akti se janë persona që kanë interes juridik për vendimin e kontestuar në fjalë. Për pasojë, Gjykata konstaton se kjo pjesë e kërkesës refuzohet me procedurë të shkurtër në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës.

Në anën tjetër (ii) Përkitazi me parashtruesit Qerim Berisha, Fadil Gashi, Tahir Morina dhe Burim Berisha, Gjykata thekson se kriteret e përcaktuara përmes nenit 21 te Ligjit dhe rregullit 32 te Rregullores së punës janë të plotësuara, sepse për të njëjtit, para Gjykatës janë dorëzuar autorizimet përkatëse.

Në këtë aspekt, Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesës, kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [C.nr. 131/2017] të 24 marsit 2020, të Gjykatës Themelore, i cili në fakt ishte në favor të tyre, pasiqë përmes tij ishte aprovuar në tërësi kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës dhe ishin detyruar të  paditurit H.H dhe R.H që ta lirojnë pjesën e uzurpuar të rrugës së parashtruesve të kërkesës.

Gjykata vëren se çështja që ishte në pikëpyetje për parashtruesit e kërkesës e për të cilën edhe kishin parashtruar kërkesë në Gjykatë Kushtetuese, është zgjidhur në favor të tyre dhe nuk ka më kontest që ka mbetur i pazgjidhur.

Në vijim Gjykata gjithashtu potencon faktin se parashtruesit e kërkesës në të ardhmen në rast të pakënaqësisë eventuale për vendimet respektive pas shterimit të mjeteve juridike, mund ti kontestojnë të njëjtat para Gjykatës.

Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës tanimë nuk kanë rast apo kontest të pazgjidhur në lidhje me kushtetutshmërinë e vendimit të kontestuar dhe çështja faktikisht është pa objekt shqyrtimi, andaj kërkesa duhet të hidhen poshtë, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, si dhe me rregullin 35 (4) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Qerim Berisha, Fadil Gashi, Tahir Morina, Selim Berisha, Naim Berisha, Burim Berisha, Z. B

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për hedhje poshtë të kërkesës