KI183/22, Parashtrues Rexhep Kastrati, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.UZVP.NR.46/22], të 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI183/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, publikuar më 19 maj 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë administrative, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Vendimin [2017-YR-865] e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të 17 nëntorit 2017, përmes të cilit, parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me gjobë në shumë prej 4.000 (katër mijë) euro, për shkak të akomodimit të shtetases së huaj në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit për të Huajt. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi për konflikt administrativ, të cilën padi, Gjykata Themelore më 21 tetor 2020, përmes Aktgjykimit [A.nr.1925/17] e refuzoi si të pabazuar. Më 21 mars 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.714/2020] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, përkatësisht të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kërkesën e tij e refuzoi si të pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar, i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta në Mjetet Juridike] të Kushtetutës, dhe në lidhje me këto pretendime vetëm theksoi si në vijim: “Vendimet e gjykatave të rregullta në Republikën e Kosovës janë në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. […] dhe kërkoi “[…] që të anulohen vendimet e gjykatave të rregullta në Rep.Kosovës si të pabazuara në Kushtetutë (neni 31)”.
Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij para Gjykatës nuk ka specifikuar se si të drejtat e tij janë shkelur në rastin konkret dhe as nuk ka ofruar ndonjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e tyre. Prandaj, e njëjta, vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 31 dhe 32 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullin 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Rexhep Kastrati
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative