Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. UZVP. nr.15/2022]  të 24 shkurtit 2022, të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI158/22

Parashtruesit: Ahmet Meha

Shkarko:

KI158/22, Ahmet Meha: Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. UZVP. nr.15/2022]  të 24 shkurtit 2022, të Gjykatës Supreme

KI158/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar më 17 korrik 2024  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura ose të paarsyetuara

Gjykata në këtë aspekt dhe fillimisht rikujton që parashtruesi i kërkesës iu ishte drejtuar gjykatave të rregullta duke mos kontestuar ndonjë akt specifik administrativ, por duke pretenduar në esencë realizimin e kërkesës së tij për kompensim të dallimit lidhur me pensionin e pleqërisë dhe duke pretenduar heshtjen administrative nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Çështja e parashtruesit të kërkesës lidhur me kërkesën e tij ishte shqyrtuar përmes 3 (tre) vendimeve gjyqësore, duke u vendosur fillimisht nga Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [A. nr. 494/19] të 25 gushtit 2021, e cila duke u bazuar në dispozitat përkatëse të Ligjit për Konfliktin Administrativ refuzoi padinë e paraqitur sepse parashtruesi i kërkesës nuk kishte kontestuar ndonjë akt administrativ para saj dhe se nuk kishte dëshmuar se i njëjti iu ishte drejtuar fillimisht organit kompetent në kuptim të shterimit të mjeteve juridike lidhur me pretendimet e tij, duke përfshirë pretendimin për heshtje administrative.  Ky aktvendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, duke argumentuar se parashtruesi i kërkesës nuk arriti të provojë se kishte filluar procedurën fillimisht në organet kompetente administrative lidhur me pretendimet e tij, siç kërkohet nga Ligji për Konfliktin Administrativ dhe Ligji Nr. 05/L -031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Po ashtu, ato vlerësuan se nuk ekziston ndonjë akt administrativ që të ketë dalë fillimisht në procedurë administrative dhe që të jetë i kontestueshëm më pas në procedurë gjyqësore. Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar se të njëjtat janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, me arsyetimin se të gjitha rezultuan në refuzimin e ankesës së tij duke mos trajtuar heshtjen e pretenduar administrative të organit administrativ në ndërlidhje me kërkesën e tij për dallimin monetar të pensionit të pleqërisë.

Lidhur me këtë pretendim, dhe siç është reflektuar tek pjesa që ndërlidhet me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në paragrafët 31-35 të këtij aktvendimi, përtej pretendimit se vendimet e gjykatave të rregullta janë të nxjerra në “moszbatim të nenit 31 të Kushtetutës”, parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur para Gjykatës asnjë argument dhe/ose arsyetim konkret përkitazi me shkeljet e të drejtave të tij e të cilat ai i pretendon.

Gjykata rikujton se të njëjtat pretendime të përgjithshme përkitazi me kërkesën e tij për pensionin e pleqërisë dhe heshtjen e pretenduar administrative ishin paraqitur edhe para gjykatave të rregullta.  Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka kontestuar para gjykatave një  akt konkret administrativ të nxjerrë nga një procedurë administrative në kuptim të nenit 13 të Ligjit për Konfliktet Administrative; si dhe (ii) parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se ka shteruar mjetet juridike fillimisht para organit administrativ lidhur me pretendimet e tij në kuptim të paragrafi 6 të nenit 124 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe nenit 29 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përgjatë gjithë procesit gjyqësor në esencë kishte kontestuar/pretenduar heshtjen administrative nga organet administrative me arsyetimin se nuk kishte marrë përgjigje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me kërkesën e tij për pensionin e pleqërisë.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kishte dështuar që të dëshmoj para gjykatave të rregullta nëse ka iniciuar procedurë para organit administrativ lidhur me pretendimet e tij për heshtje administrative, specifikisht nëse ka kontestuar heshtjen administrative të pretenduar nga ai fillimisht brenda organit administrativ, respektivisht në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Prandaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, Gjykata konkludon se kërkesa duhet të deklarohet qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii), pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”, dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ahmet Meha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative