KI188/23, Parashtrues Isuf Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ. nr. 521/2023, të 11 majit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI188/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 27 shtator 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mungesë e dukshme ose evidente e shkeljes, kërkesë e pambështetur apo paarsyetuar
Rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore kundër Vendimit [Nr. 23/04] të 3 prillit 2019 të MPB-së, përmes së cilit, MPB refuzoi kërkesën e tij për ndërrim të mbiemrit nga “Gashi” në atë “Aga” për arsye të këngës “Isuf Aga”. Gjykata Themelore konstatoi se arsyeja në fjalë nuk është e përcaktuar në nenin 6 të Udhëzimit Administrativ nr. 19/2015 për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal, si dhe që parashtruesi i kërkesës nuk kishte dhënë prova të mjaftueshme që arsyetojnë ndërrimin e mbiemrit në pajtim me kushtet e përcaktuara në këtë Udhëzim Administrativ. Ky arsyetim i Gjykatës Themelore u mbështet edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, të cilat e vërtetuan Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në thelb, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.
Fillimisht, Gjykata në Aktvendimin për Papranueshmëri nënvizoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka ngritur pretendimin për shkelje të së drejtës substanciale për emër personal, të garantuar me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, andaj, e njëjta u kufizua në adresimin e pretendimit të parashtruesit të kërkesës në lidhje me të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor.
Përkitazi me pretendimin që ndërlidhet me shkeljen e të drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor, Gjykata, në pajtim me praktikën e saj gjyqësore dhe pas elaborimit të dispozitave ligjore përkatëse, vlerësoi se arsyetimi i dhënë nga Gjykata Supreme lidhur me interpretimin e saj në lidhje me arsyet për ndërrimin e emrit personal në Aktgjykimin e kontestuar, ka arritur të shpjegojë raportin midis fakteve të paraqitura dhe zbatimit të bazës ligjore në të cilin ajo është thirrur, gjegjësisht në çfarë mënyre ato vijnë në korrelacion me njëra tjetrën dhe se si kanë ndikuar ato në vendimin e Gjykatës Supreme që të vërtetojë vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, respektivisht të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore. Rrjedhimisht, në lidhje me këtë pretendim, Gjykata konstatoi se është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Ndërsa, përkitazi me pretendimin në lidhje me shkeljen e nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, Gjykata vërejti se parashtruesi në kërkesën e tij vetëm e përmendi këtë nen, por nuk e elaboroi dhe shtjelloi më tej si dhe pse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni nga ana e gjykatave të rregullta. Prandaj, Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore, konkludoi se pretendimet në fjalë të parashtruesit të kërkesës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Isuf Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative