Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit [ARJ. nr. 38/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 25 korrikut 2022

Nr. të lëndës KI198/22

Parashtruesit: Drita Gjonbalaj

Shkarko:

KI198/22, Parashtrues Drita Gjonbalaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit [ARJ. nr. 38/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 25 korrikut 2022

KI198/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2023, i publikuar më 25 maj 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura apo të paarsyetuar, si dhe pretendime të shkallës së katërt

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me refuzimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), të bërë në lidhje me kërkesën e parashtrueses për avancim në karrierë. Në lidhje me këtë, parashtruesja e kërkesës fillimisht ka filluar procedurën administrative në të cilën KPMSHCK-ja e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të papranueshme, sepse ishte parashtruar jashtë afatit të përcaktuar kohor. Pas kësaj, parashtruesja e kërkesës inicioi procedurë administrative e cila kaloi nëpër tri shkallë të vendimmarrjes dhe është kthyer nga Gjykata Supreme në Gjykatën Themelore për rivendosje për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit lidhur me afatin për ankesë në KPMSHCK. Në procedurën e përsëritur, Gjykata Themelore e aprovoi ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe e ktheu lëndën në KPMSHCK për rivendosje. Në procedurë të përsëritur, KMSHCK -ja e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, ky vendim është kontestuar edhe nga parashtruesja e kërkesës në procedurën administrative, megjithatë, gjykatat e rregullta në të tri  shkallët e kanë mbështetur plotësisht këtë vendim të KPMSHCK-së.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi në Gjykatën Kushtetuese shkeljen e të drejtave të garantuara me  nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave të Njeriut] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi fillimisht kriteret për pranueshmërinë e kërkesës, sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke qenë se parashtruesja e kërkesës ishte palë e autorizuar, ajo shteroi të gjitha mjetet juridike në dispozicion, qartësoi nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që u kontestua në Gjykatë dhe e dorëzoi kërkesën brenda afatit prej  katër muajve. Gjykata shqyrtoi pretendimet kryesore të parashtrueses së kërkesës në lidhje me shkeljet e pretenduara të së drejtës për një vendim të arsyetuar, duke zbatuar parimet e përgjithshme lidhur me cilësinë e arsyetimit të vendimeve gjyqësore si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në rrethanat e rastit konkret. Gjykata konsideroi se konkluzionet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë pas shqyrtimit të detajuar të të gjitha argumenteve të cilat i paraqiti parashtruesja e kërkesës, prandaj, si përfundim, Gjykata konstatoi se aktgjykimet e gjykatave të rregullta janë të qarta dhe se në to janë shqyrtuar në thelb të gjitha pretendimet kryesore të paraqitura nga parashtruesja e kërkesës. Parashtruesja  e kërkesës, ndër të tjera, pretendoi edhe shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese, megjithatë, ajo në kërkesën e saj nuk dha asnjë arsyetim se si kishte ardhur deri te shkelja e këtyre garancive.

Rrjedhimisht dhe bazuar në sqarimet e dhëna në vendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës të cilat i referohen shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së dhe që kanë të bëjnë me të drejtën për vendim gjyqësor të arsyetuar të gjykatave të rregullta, i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendime të kategorizuara si pretendime “ të shkallës së katërt”; ndërsa pretendimet për shkelje të neneve 32, 54 dhe 55 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesja e kërkesës thjesht citoi dispozitën e Kushtetutës, pa shpjeguar se si ka ardhur deri te shkelja e neneve të lartpërmendura.

Parashtruesit:

Drita Gjonbalaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative