KI123/22, Parashtrues: Getoar Mjeku, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.36/2022] të Gjykatës Supreme të 13 qershorit 2022
KI123/22, Aktvendim për papranueshmëri i 13 shkurtit 2024, publikuar më 11 prill 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, provimi i jurisprudencës, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit të kërkesës që t’i nënshtrohet provimit të jurisprudencës pranë Ministrisë së Drejtësisë. Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë për vlerësimin e kërkesave të kandidatëve për provimin e jurisprudencës, e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për lejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë tek Ministria e Drejtësisë, e cila e refuzoi të pa bazuar ankesën e parashtruesi të kërkesës të paraqitur kundër Komisionit për vlerësimin e kërkesave të kandidatëve për provimin e jurisprudencës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Themelore. Gjykata Themelore aprovoi të bazuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi vendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit e aprovoi të bazuar ankesën e Ministrisë së Drejtësisë dhe lënda i kthehet Gjykatës Themelore në rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore në ri-procedurë aprovoi të bazuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi vendimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë sërish paraqiti ankesë tek Gjykata e Apelit, e cila e aprovoi të bazuar ankesën e të paditurës Ministria e Drejtësisë, ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor duke pretenduar shkelje të së drejtës materiale dhe procedurale. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime se nga Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Supreme duke i mohuar atij të drejtën për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës kanë kryer: (i) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së për shkak të arsyetimit deficitar të vendimeve të tyre; (ii) shkelje të nenit 24 të Kushtetutës dhe nenit 14 të KEDNJ-së dhe nenit 1 të Protokollit nr. 12 të KEDNJ-së për shkak të diskriminimit objektivisht të pajustifikuar të tij kundrejt kandidatëve me kualifikim shkollor në Fakultet Juridik të Republikës; dhe, (iii) si rrjedhojë, e arsyetimit deficitar dhe diskriminimit objektivisht të pa justifikuar, parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se i është shkelur e drejta për punë dhe ushtrim të profesionit nga neni 49 i Kushtetutës, për shkak se nuk i lejohet hyrja në provimin e jurisprudencës.
Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme: (i) kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës së paditur Ministria e Drejtësisë; (ii) Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për kushtet ligjore që duhet të plotësohen për të pasur të drejtën për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës; (iii) Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë shpjeguar se parashtruesi i kërkesës nuk ka dorëzuar provat-ndryshe nga siç kishte pretenduar-që provojnë se i njëjti plotëson kushtet për nënshtrim në provim të jurisprudencës siç përcaktohet me dispozitat përkatëse të LPJ-së; dhe, (iv) nga përgjigjja e MASHT-it e 2 marsit 2023, rezulton se parashtruesi i kërkesës nuk ka provuar se programi i vendit nga ku ai ka marrë diplomën ka arritur masën e ngjashmërisë prej së paku 70% ashtu që ë jetë barasvlershëm me gradën “jurist i diplomuar” që akordohet nga institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut janë pretendime që kualifikohen si pretendime të “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Getoar Mjeku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative