Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ nr.35/2022] të Gjykatës Supreme të 4 gushtit 2022

Nr. të lëndës KI185/22

Parashtruesit: Salih Topalli

Shkarko:

KI185/22, Parashtrues: Salih Topalli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ nr.35/2022] të Gjykatës Supreme të 4 gushtit 2022 

KI185/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shkurtit 2023, publikuar më 22  mars 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për vendim të arsyetuar, e drejta për qasje në drejtësi, konkursi për gjyqtarë, kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti ndërlidhet me ankesën që parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur tek Komisioni për Rishqyrtim KGJK-së kundër vendimit të Komisionit për Rekrutim të KGJK-së i cili kishte vlerësuar se parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur pikët e nevojshme për t’u zgjedhur gjyqtar në gjykatën themelore. Komisioni për Rishqyrtim i KGJK-së  e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke arsyetuar se vendimi i kontestuar nuk është bazuar në gabime faktike dhe materiale. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Themelore kundër organeve të KGJK-së.  Gjykata Themelore e  refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke shtuar se ligji nuk është zbatuar në dëm të parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit refuzoi të pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e  Gjykatës Themelore duke shpjeguar se vendimi i kontestuar nuk karakterizohet nga shkeljet esenciale procedurale dhe se e drejta materiale është zbatuar drejtë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësorë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme kishte sqaruar gjykatat e instancave më të ulët dhe organi i paditur KGJK kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale në përputhje me gjendjen faktike të vërtetuar dhe se në rastin konkret nuk janë konstatuar shkelje procedurale në raport me pretendimet dhe të drejtat e parashtruesit të kërkesës.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, në thelb pretendoi se nga gjykatat e rregullta të të gjitha niveleve dhe nga KGJK-ja nuk ka marrë asnjë përgjigje për pretendimet e tij. Parashtruesi i kërkesës në mënyrë më specifike pretendon se janë shkelur dy komponentë të së drejtës së përgjithshme për gjykim të dejtë dhe të paanshëm: (i) qasja në drejtësi; dhe (ii) e drejta për vendim të arsyetuar.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi: (i)  gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se parashtruesit të kërkesës i është dhënë mundësia njëjtë sikurse edhe kandidatëve tjerë për t’iu nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës me gojë me qëllim të përzgjedhjes gjyqtar në gjykatën themelore në kushte të barabarta; (ii) kanë shpjeguar procesin e vlerësimit, grumbullimit të pikëve dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar në mënyrë kumulative nga testi me shkrim, intervista me gojë dhe përvoja relevante e punës bazuar në Rregulloren e KGJK-së [Nr.05/2016]; dhe se (iii) vlerësimi në intervistën me gojë është çështje e diskrecionit të anëtarëve të komisionit por çka është e rëndësishme është se këta të fundit kanë punuar në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe pa ndërhyrje në procesin e vlerësimit të pikëve për kandidatët për gjyqtarë, pa përjashtuar dhe parashtruesin e kërkesës.

Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Salih Topalli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative