KI70/23, parashtruese: Xhemile Ademi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ae. Nr. 835/19 të 11 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI 70/23, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 27 marsit 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, hedhje poshtë e kërkesës, pretendimi nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 28 nëntor 1999, bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës, kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në punë, në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK). KEK-u, bashkëshortes së të ndjerit dhe pasardhësve të tij, iu kompensoi rentën mujore në periudhë prej pesë (5) vitesh, më pas duke e ndërprerë të njëjtën në mënyrë të njëanshme më 1 korrik 2006.
Parashtruesja e kërkesës, në vitin 2006 kishte paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Vushtrri, e cila procedurë kishte rezultuar në nxjerrjen e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 11 tetorit 2018, përmes së cilit kërkesëpadia e saj ishte refuzuar si e pabazuar për shkak se e njëjta ishte parashkruar. Si rezultat i ankesës së parashtrueses së kërkesës të parashtruar kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit kjo e fundit përmes Aktgjykimit të kontestuar [Ae. Nr. 835/19] të 11 nëntorit 2022 kishe refuzuar ankesën e saj si të pathemeltë.
Parashtruesja e kërkesës më 27 mars 2023 dorëzoi kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, përmes të cilës kishte kontestuar Aktgjykimin [Ae. Nr. 835/19 të 11 nëntorit 2022 të Gjykatës së Apelit. Megjithatë, si rezultat i shkresës së dorëzuar nga Gjykata Supreme, më 8 dhjetor 2023, Gjykata u njoftua se (i) parashtruesja e kërkesës përmes përfaqësuesit të saj ligjor, para se të dorëzonte kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese, më 22 shkurt 2022 kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme kishte parashtruar revizion; dhe (ii) kjo e fundit përmes Aktvendimit [Rev. nr. 211/2023] të 7 qershorit 2023, kishte pranuar revizionin e saj si të bazuar dhe për pasojë kishte anuluar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, të 11 nëntorit 2022, duke e kthyer lëndën në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Në rastin konkret, në kontekst të vlerësuarit nëse ende qëndrojnë rrethanat për të cilat parashtruesja e kërkesës është ankuar në Gjykatë, kjo e fundit konsideroi se në rrethanat e rastit konkret objekti i kërkesës nëse parashtruesja është viktimë e shkeljes së të drejtave të saja si rezultat i Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm për arsye se i njëjti është anuluar përmes Aktvendimit të Gjykatës Supreme, të 7 qershorit 2023, dhe çështja e kërkesëpadisë së saj është kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Rrjedhimisht, Gjykata bazuar në paragrafin 1 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës vendosi që kërkesën e parashtrueses së kërkesës ta hedhë poshtë në procedurë të shkurtër, për shkak se pretendimet saja në lidhje me Aktgjykimin e anuluar të 11 nëntorit 2022, të Gjykatës së Apelit nga Gjykata Supreme “nuk janë më në mënyrë aktive të diskutueshme para saj.”
Xhemile Ademi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës