KI110/22, Parashtrues: Rrahman Ademi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC. nr. 5049/20 të Gjykatës së Apelit, të 20 prillit 2022
KI110/22, aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2023, publikuar më 19 shtator 2023
Fjalët kyç: e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, paga jubilare, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar
Nga dosja e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti lidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës ka ngritur kundër punëdhënësit të tij, në rastin konkret të Korporatës Energjetike të Kosovës, në të cilën ka kërkuar që pas pensionimit t’i njihet pagesa në emër të kompensimit të pagave jubilare të parapara me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës në nivel vendi. Së pari, Gjykata Themelore e pranoi kërkesën e parashtruesit dhe e detyroi KEK-un që t’i paguajë parashtruesit 3 (tri) paga mujore në emër të pagës jubilare për 30 vjet shërbim. Pas ankesës së KEK-ut të dorëzuar në Gjykatën e Apelit, i njëjti ankesën e KEK-ut e ka miratuar si të bazuar dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore e ka ndryshuar në atë mënyrë që e ka refuzuar kërkesën e parashtruesit për pagën jubilare si të pabazuar për arsye se në kohën kur parashtruesi i kërkesës ka dalë në pension nuk ka qenë në fuqi Marrëveshja e PKK, e cila parasheh kushtet për pagën jubilare.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendon se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Kryesisht, thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës i referohet pretendimit të tij se gjykatat e rregullta, më konkretisht Gjykata e Apelit, ka vendosur ndryshe në katër raste të ngjashme, gjegjësisht, se i) me vendimet e gjykatave të rregullta, ai është trajtuar në mënyrë të pabarabartë në krahasim me të tjerët; ii) dhe se parimet e sigurisë juridike janë shkelur si rezultat i vendimeve kontradiktore të gjykatave të rregullta.
Lidhur me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës në lidhje me trajtimin e pabarabartë dhe jo konsistencën e vendimeve gjyqësore, Gjykata, pasi ka paraqitur parimet dhe kriteret e vendosura nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata në lidhje me jo konsistencën e vendimeve gjyqësore, i aplikoi ato në rastin konkret dhe konsideroi se këto pretendime ishin “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.
Rrahman Ademi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile