KI205/23, parashtrues: Ramadan Hyseni, Shkumbin Vidishiqi, Mimoza Abazi, Zymer Haliti dhe Gani Selimi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC.nr.2051/22] të 01 qershorit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI205/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 26 qershor 2024
Fjalët kyçe: interpretim i gabuar i ligjit; divergjenca gjyqësore; përmbarim i vendimit
Parashtruesit e kërkesës shërbejnë si shërbyes civil në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” [UMIB]. Sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës të vitit 2011 dhe 2014, ata kishin të drejtë për rritje të pagës në vlerën prej 30 përqind të pagës bazë. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës [KPMSHCK] e obligoi UMIB-in të nxjerrte një akt administrativ për ngritjen e pagës për parashtruesit e kërkesës, nga data 2016 kur ata kishin parashtruar ankesën. Gjykatat e rregullta, në procedurën e përmbarimit, vendosën që vendimi i KPMSHCK-së të përmbarohej dhe të detyrohej UMIB-i të kompensonte financiarisht parashtruesit e kërkesës për diferencën e pagave nga viti 2016 deri më 2017. Procedura e përmbarimit përfundoi në momentin kur Ministria e Financave i barti në llogari të parashtruesve të kërkesës mjetet financiare të akorduara sipas vendimeve për përmbarim. Parashtruesit e kërkesës paraqitën propozim të ri në Gjykatën Themelore për përmbarim të vendimit të KMPSHCK-së edhe pas vitit 2018, me arsyetimin se UMIB-i nuk e kishte përmbushur obligimin për rritjen e pagave pas vitit 2018 e tutje. Gjykatat e rregullta e hodhën poshtë propozimin për përmbarim të vendimit të KPMSHCK-së, me arsyetimin se vendimi ishte përmbaruar tashmë dhe ishte përmbushur obligimi financiar ndaj parashtruesve të kërkesës.
Parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimet e gjykatave të rregullta – që ia mohuan kërkesën për përmbarimin e vendimit të KPMSHCK-së pas vitit 2018, ishin në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, për shkak të interpretimit të gabuar të ligjit dhe divergjencës së praktikës gjyqësore. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se, në disa raste të ngjashme, gjykatat e rregullta lejuan përmbarimin e vendimit të KMPSHCK-së edhe pas vitit 2018, ndërsa në rastin e tyre nuk e lejuan një gjë të tillë.
Në lidhje me interpretimin e gabuar të ligjit, Gjykata përsëriti se nuk është në autoritetin e saj të zëvendësojë vlerësimet e gjykatave të rregullta dhe të merret me çështjet e faktit dhe të ligjit. Gjykata theksoi se, gjykatat e rregullta e kishin lejuar përmbarimin e vendimit të KPMSHCK-së nga viti 2016 deri në vitin 2017, i cili edhe u ekzekutua. Mirëpo, gjykatat e rregullta e refuzuan kërkesën e parashtruesve të kërkesës për përmbarim të vendimit edhe pas vitit 2018, me arsyetimin se nuk ekzistonte më objekti i çështjes dhe vendimi për përmbarim ishte ekzekutuar. Gjykata nuk gjeti që gjykatat e rregullta të kenë vepruar në mënyrë arbitrare apo qartazi të paarsyeshme, por vepruan brenda autoritetit të tyre për vlerësimin e fakteve dhe të provave.
Në lidhje me divergjencën e praktikës gjyqësore, Gjykata vërejti se në një rast tjetër, të ngjashëm me të parashtruesve të kërkesës, gjykatat e rregullta lejuan përmbarimin e vendimit të KPMSHCK-së edhe pas vitit 2018. Megjithatë, Gjykata theksoi se nuk ka njohuri nëse ekzistojnë më shumë vendime të gjykatave të rregullta që në procedurën e përmbarimit e kishin lejuar ekzekutimin e vendimit të KPMSHCK-së edhe pas vitit 2018, pasi me vetëm një rast gjyqësor të izoluar nuk mund të konstatohet divergjenca e praktikës gjyqësor. Gjykata theksoi se është në përgjegjësinë e parashtruesve të kërkesës të paraqesin prova dhe argumente juridike për t’i mbështetur pretendimet e tyre. Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj i refuzoi si qartazi të pabazuara.
Ramadan Hyseni, Shkumbin Vidishiqi, Mimoza Abazi, Zymer Haliti dhe Gani Selimi,
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile