Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 1417/18] të Gjykatës se Apelit të Kosovës, të 6 dhjetorit 2021

Nr. të lëndës KI40/22

Parashtruesit: Predrag Nikčević, Dragica Nikčević Kadić, Zoran Nikčević dhe Vladimir Nikčević dhe avokati Minush Hoxha, i cili pretendon se përfaqëson M.N.

Shkarko:

KI40/22, Parashtrues: Predrag Nikčević, Dragica Nikčević Kadić, Zoran Nikčević dhe Vladimir Nikčević dhe avokati Minush Hoxha, i cili pretendon se përfaqëson M.N., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 1417/18] të Gjykatës se Apelit të Kosovës, të 6 dhjetorit 2021

KI40/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 shtatorit 2022, publikuar më 27 shtator 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, shkelje e të drejtave pronësore, parimet e përgjithshme të sistemit gjyqësor.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një ngastër kadastrale [249/71] me fletë poseduese [5547 ZK] në Komunën e Pejës, pronësinë e së cilës e pretendojnë parashtruesit e kërkesës në cilësinë e trashëgimtarëve të paraardhësit të tyre U. N., meqë Komuna e Pejës, përmes Aktvendimit [01-nr.17756/1-66] të 30 dhjetorit 1966, i kishte dhuruar paraardhësit të parashtruesve të kërkesës U. N., ngastrën kadastrale [249/71]. Komuna e Pejës në ndërkohë përmes Aktvendimit [nr. 463-241-I] të 6 marsit 1998 kishte anuluar Aktvendimin e 30 dhjetorit 1966 dhe, për pasojë, përmes Aktvendimit [R.G.Z01-952-01-10/98] të 14 prillit 1998 ngastrën në fjalë e kishte regjistruar si pronë shoqërore të Komunës së Pejës. Në vitin 2011, parashtruesit e kërkesës ngritën ankesë në Gjykatën Themelore, duke pretenduar se prona kontestuese ishte marrë në mënyrë arbitrare nga Komuna e Pejës pa e njoftuar paraardhësin e tyre U. N. Pas ankimimit, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës me arsyetimin se Aktvendimi [R.G.Z01-952-01-10/98] i 14 prillit 1998 ishte pranuar nga paraardhësi i tyre por ky i fundit nuk kishte ushtruar ndonjë mjet juridik për ta kundërshtuar dhe se parashtruesit e kërkesës nuk mund të jenë pronarë të kësaj prone kontestuese pasi që duke u bazuar në nenin 44 [Pushimi i së drejtës së pronësisë] të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike – Pronësore të vitit 1980, iu ka pushuar e drejta e pronësisë në momentin kur Komuna e Pejës ka bartur pronën kontestuese si pronë shoqërore në emrin e saj. Parashtruesit e kërkesës i ngritën të njëjtat pretendime edhe para Gjykatës, duke theksuar se të drejtat e tyre kushtetuese janë shkelur, pasi që paraardhësi i tyre U.N., nuk ishte njoftuar lidhur me aktvendimin për marrjen e pronës kontestuese nga Komuna e Pejës dhe se, përgjithësisht, vlerësimet e gjykatave të rregullta ishin të padrejta dhe rrjedhimisht parashtruesit e kërkesës në cilësinë e trashëgimtarëve të U.N., përmes këtyre vendimeve, janë privuar nga e drejta e pronësisë mbi pronën kontestuese.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata vërejti se në procedurë para Gjykatës paraqiten dy palë, (i) kërkesa e dorëzuar nga Minush Hoxha si përfaqësues i pretenduar i M. N., si dhe (ii) parashtruesit e kërkesës të cilët kanë dorëzuar një autorizim të vlefshëm për përfaqësim para Gjykatës.

Në lidhje me kërkesën e dorëzuar nga përfaqësuesi i pretenduar Minush Hoxha në emër të M. N., Gjykata konstatoi se mungesa e një autorizimi të vlefshëm për përfaqësim para Gjykatës, ia pamundëson shqyrtimin e pretendimeve të ngritura nga përfaqësuesi i pretenduar në emër të M. N, andaj të njëjtën Gjykata e refuzoi me procedurë të shkurtër bazuar në rregullin 35 (5) të Rregullores së punës.

Në lidhje me kërkesën e parashtruesve të tjerë, e cila ngërthente pretendime për shkelje të të drejtave pronësore, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret parimet e praktikës gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi  me të drejtën e pronës, duke sqaruar se parashtruesi i kërkesës që ankohet për një ndërhyrje në një nga të drejtat e tij/saj pronësore duhet të tregojë fillimisht se një e drejtë e tillë ekziston dhe se neni 46 i Kushtetutës nuk garanton të drejtën për fitimin e pronës. Prandaj, Gjykata të njëjtën e deklaroi si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese sepse parashtruesit e kërkesës nuk dëshmuan dhe nuk mbështetnin në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tyre, dhe rrjedhimisht e njëjta nuk i përmbushi kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Predrag Nikčević, Dragica Nikčević Kadić, Zoran Nikčević dhe Vladimir Nikčević dhe avokati Minush Hoxha, i cili pretendon se përfaqëson M.N.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 46 - Mbrojtja e Pronës , Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile