Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.1201/2021],  të 7 dhjetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës

Nr. të lëndës KI72/23

Parashtruesit: Isa Hashani

Shkarko:

KI72/23, Parashtrues Isa Hashani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.1201/2021],  të 7 dhjetorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës

KI72/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për paga jubilare, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ndaj ish-punëdhënësit të tij, për njohjen e të drejtës në shpërblim për 3 (tri) paga jubilare bazuar në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Si rezultat i ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit të kontestuar [Ac.nr.1201/2021], të 7 dhjetorit 2022, vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe sërish e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se të njëjtit nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak që 30 (tridhjetë) vjet përvojë pune i ka mbushur në vitin 2014, çka rezulton se në vitin jubilar të parashtruesit të kërkesës nuk ka qenë në fuqi ndonjë Kontratë Kolektive apo ndonjë dispozite ligjore e cila të njëjtit i ka garantuar një të drejtë të tillë.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës. Më specifikisht, pretendimet e parashtruesit të kërkesës ndërlidhen: (i) me faktin se gjykatat e rregullta kanë interpretuar dhe zbatuar gabimisht të drejtën materiale lidhur me parashkrimin e kërkesës dhe ushtrimin e padisë në kundërshtim me Kodin e Punës dhe vendimet e ish-punëdhënësit; (ii) me moskonsistencën e vendimeve të gjykatave të rregullta, si dhe (iii) shkeljen e të drejtës në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës.

Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Bazuar në këto parime, përkitazi me pretendimet për interpretimin e të drejtës materiale, Gjykata vlerësoi se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore i kishte adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke arsyetuar çështjen se përse në rastin e tij nuk mund të plotësohej kërkesa e tij për kompensimin e pagave jubilare si rezultat i mungesës së bazës ligjore në kuptim të mosaplikueshmërisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive. Ndërsa, përkitazi me pretendimet për moskonsistencë të vendimeve të gjykatave të rregullta, ajo vlerësoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 4 (katër) aktgjykime të gjykatave të rregullta, rrethanat e të cilave dallojnë me rastin e parashtruesit të kërkesës meqenëse Gjykata e Apelit gjeti se nuk i takon e drejta në shpërblim jubilar për shkak se i njëjti nuk ka përmbushur vitet e përvojës gjatë periudhës kohore që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive ka qenë në fuqi. Në fund, përkitazi me pretendimet për të drejtën në pronë, Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore, vendosi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte mundur të ketë “pritje legjitime” për shpërblim jubilar meqë edhe gjykatat e rregullta nuk ia kanë njohur këtë të drejtë me vendim gjyqësor.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në tërësi janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Isa Hashani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile