KI159/23, Parashtrues: Xhafer Beqiri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC.nr.119/2021] e 12 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Njoftimit [KMLC.nr.19/2023;KMLC.nr.35/2023] e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të 4 prillit 2023
KI159/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 janarit 2024, publikuar më 12 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e paafatshme
Kërkesa ishte dorëzuar nga Xhafer Beqiri nga fshati Bajgorë, komuna Mitrovicë.
Parashtruesi e kërkesës e kontestonte Aktgjykimin [AC.nr.119/2021] e 12 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Njoftimit [KMLC.nr.19/2023;KMLC.nr.35/2023] e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të 4 prillit 2023.
Në këtë aspekt, Gjykata vlerësoi nëse në rrethanat e rastit konkret Njoftimi [KMLC.nr.19/2023;KMLC.nr.35/2023] i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i 4 prillit 2023 ishte mjet efektiv lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje kushtetuese. Përgjigja në këtë pyetje, do të jetë vendimtare për vlerësimin nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës i përmbush kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me nenin 34 të Rregullores së Punës.
Gjykata vërejti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ishin shqyrtuar nga Gjykata e Apelit dhe jo nga Zyra e Prokurorit të Shtetit. Kjo e fundit, në fakt, kishte vendosur vetëm nëse janë plotësuar kushtet ligjore që të paraqitet një kërkesë e tillë.
Andaj, Gjykata vlerësoi se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit, lidhur me procedurat që janë zhvilluar në gjykatat e rregullta, konsiderohet Aktgjykimi [AC. nr. 119/2021] i 12 dhjetorit 2022, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës kudër aktgjykimit të Gjykatës Themelore [C.nr.674/2020] të 30 shtatorit 2020. Atëherë Gjykata do të vlerësojë Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [AC.nr.119/2021] nëse plotëson kriteret e nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së Punës së Gjykatës.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujtoi se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [AC.nr.119/2021] ishte nxjerrë më 12 dhjetor 2022. Në bazë të dosjes së lëndës, përkatësisht në propozimin për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës drejtuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ceket se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 25 janar 2023. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij në postë, më 19 korrik 2023, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.
Si pasojë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [AC.nr.119/2021] të 12 dhjetorit 2022, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Xhafer Beqiri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile