Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0707]të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 16 nëntorit 2023

Nr. të lëndës KI83/24

Parashtruesit: H.P.G. Sh.p.k.

Shkarko:

KI83/24,Parashtrues: H.P.G. Sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0707]të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 16 nëntorit 2023

KI83/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shatorit 2024, i publikuar më 26 shtator 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme  

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Objekti i kontestit ka të bëje me shitjen e Ndërmarrjes së Re Bankkos Pejë Sh.p.k., nëpërmjet valës së 56 të privatizimit. Parashtruesi i kërkesës parashtroi për herë të dytë kërkesë në Gjykatë. Në lidhje me kërkesën e parë KI217/13, Gjykata nëpërmjet aktvendimit të 23 shator 2014, e shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuar kërkesën e parashtruesit, sepse pretendimet e ngritura në kërkesë ngrinin çështje të natyrës së shkallës së katërt. Nëpërmjet kërkesës së dytë KI83/24, parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (DhPGjS), me të cilin ishte vendosur për thelbin e padisë nëpërmjet së cilës kishte kërkuar të detyrohej AKP-ja për të lidhur kontratë për shitjen e Ndërmarrjes së Re Bankkos Pejë Sh.p.k. me pretendimin se parashtruesi i kërkesës kishte ofruar ofertën me të mirë. Kolegji i specializuar i DhPGjS-së, më 5 shtator 2022 e kishte refuzuar si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesë kishte parashtruar ankesë pranë Kolegji të Apelit të DhPGjS-së, mirëpo edhe kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe kishte konfirmuar Aktgjykimin e 5 dhjetorit 2022 të Kolegjit të specializuar, me arsyetimin se i njëjti ishte i njoftuar me rregullat e tenderit, përfshirë anulimin e mundshëm të tij, dhe se Kolegji i Apelit sipas ligjit nuk ka autorizime ligjore që të obligojë AKP-në, të nënshkruaj kontratë, siç kërkonte parashtruesi i kërkesës. Kolegji i Apelit, për më tepër, theksoi se AKP-ja sipas nenit 1.1 të Ligji për AKP-në është organ i pavarur publik, dhe si i tillë vendosë në mënyre të pavarur se me kë dëshiron të hyje në marrëdhënie kontraktuale.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, ishte marrë në shkelje të të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Bazuar në shkresat e lëndës dhe nga mënyra e ndërtimit të pretendimeve, Gjykata vërejti se esenca e ankesës që ngërthente kërkesat e parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me moskonsistencën e praktikës gjyqësore të Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, ku sipas parashtruesit të kërkesës ky i fundit në dy raste tjera kishte vendosur ndryshe në rrethana të njëjta faktike dhe juridike. Përkitazi me shqyrtimin dhe vlerësimin e pretendimit thelbësor, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata në lidhje me pretendimin për moskonsistencë, mori parasysh numrin e rasteve me të cilat pretendohej shkelja e sigurisë juridike, megjithatë nuk u lëshua në krahasimin e rrethanave faktike dhe juridike të rasteve të bashkëngjitura nga parashtruesi i kërkesës, për faktin se ajo tashmë kishte praktikë të konsoliduar gjyqësore, të mbështetur në parimet e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përcakton se nuk mund të konstatohet shkelja parimit të sigurisë juridike, duke u thirrur  vetëm në dy (2) vendime, për më tepër që koha e vendimmarrjes së tyre nuk përmbushte kriterin e ekzistimit të “dallimeve të thella dhe afatgjata”. Në vlerësimin e pretendimeve tjera, për shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës, përveç faktit se ishte thirrur në këto nene respektive, i njëjti nuk kishte shtjelluar me tej se si dhe pse kishte ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet (i)  për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit nenin 6 të KEDNj-së, për moskonsistencë në praktikën gjyqësore të kolegjeve të DhPGjS-së i përkasin kategorisë së tretë të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj si të tilla, në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara, dhe (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës, i përkasin po ashtu kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj si të tilla, në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

H.P.G. Sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile