KI175/24, Parashtrues: Shaban Neziri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0640-A0001] të 12 prillit 2024 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI175/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 nëntorit 2024, publikuar më 6 dhjetor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret rezultojnë se parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar me kërkesë Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, duke kërkuar kompensimin prej 21,000.00 (njëzet e një mijë) euro për periudhën prej vitit 2002-2012, të cilat u ishin ndarë punëtorëve të Bankkos nga të hyrat dhe qiraja e objektit afarist të Bankkosit. Autoriteti i Likuidimit i AKP-së refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se (i) e drejta në kompensim iu takonte vetëm punëtorëve të cilët ishin në marrëdhënie pune në Bankkos në periudhën për të cilën kërkohej kompensimi; ndërsa (ii) parashtruesit të kërkesës i ishe ndërprerë marrëdhënia e punës në vitin 1990, dhe rrjedhimisht nuk kishte marrëdhënie të punës tek Bankkos gjatë periudhës për të cilën kërkohej kompensimi. Vendimi i Autoritetit të Likuidimit, ishte konfirmuar edhe nga DHPGJS-së, si dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se me Aktgjykimin e kontestuar atij i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24, 31, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, për faktin se, ndër të tjera, (i) ai nuk kishte kërkuar pagesën e të ardhurave personale por pagesën e të ardhurave nga qiraja të cilën e ka realizuar Bankkosi nga lëshimi i objektit afarist me qira; (ii) Autoriteti i Likuidimit i AKP-së dhe DHPGJS-së ishin në dijeni se ai ishte punëtor i Bankkosit; dhe (iii) kishte paraqitur kërkesën e tij brenda afatit përmes të cilës kishte kërkuar kompensimin e të ardhurave të realizuara nga qiraja e objektit të Bankkosit.
Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me aplikimin e gabuar të ligjeve dhe akteve nënligjore të zbatueshme në rastin e tij nga gjykatat e rregullta, përkatësisht Ligjin e punës sa i përket ndërprerjes kolektive të marrëdhënies së punës, Ligjin për AKP-në dhe Ligjin për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, duke pretenduar se si ish-punëtor i Bankkos-it, atij i takon kompensimi nga të hyrat e qirasë së Bankkos-it.
Gjykata konsideroi se gjykatat e rregullta i kanë dhënë përgjigje parashtruesit të kërkesës për pretendimet e tij për kompensimin e pagave nga qiraja e objektit afarist të Bankkosit, duke sqaruar se (i) e drejta në kompensim iu takonte vetëm atyre të cilët ishin të punësuar në Bankkos për periudhën për të cilin kërkohej kompensimi; gjë që (ii) në rastin e parashtruesit të kërkesës ky nuk ishte rasti, pasi ai nuk kishte paraqitur prova sipas së cilave dëshmohej se gjatë kësaj periudhe ai ishte në marrëdhënie pune tek Bankkos gjatë periudhës kur kërkohej kompensimi. Prandaj, të njëjtit nuk i takonte kompensimi nga mjetet të cilat ishin realizuar nga objekti i Bankkosit i dhënë me qira gjatë periudhës 2002-2012.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm janë pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit i DHPGJS-së ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmendi nenet përkatëse, por nuk shtjelloi më tutje se si dhe përse ka ardhur deri të shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujtoi se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata iu referua praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila thotë se “diskriminimi do të thotë trajtim ndryshe, pa një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, të personave në situata relativisht të ngjashme”. Gjykata rikujtoi se në mënyrë që pretendimet e parashtruesve në lidhje me shkeljen e të drejtës për mosdiskriminim të jenë të suksesshme, ata, ndër të tjera, duhet të dëshmojnë se pozita e tyre mund të konsiderohet e ngjashme me pozitën e një personi tjetër i cili ka pasur trajtim më të mirë.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Shaban Neziri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile