Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Nr. të lëndës KI155/22

Parashtruesit: Besa Sopi

Shkarko:

KI155/22, Parashtruese: Besa Sopi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-22-0133] të 23 majit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

KI155/22, Aktvendim i 25 janarit 2023, i publikuar më 7 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil mes parashtrueses së kërkesës dhe ndërmarrjes shoqërore N.Sh. NBI Suhareka, në të cilën parashtruesja e kërkesës ishte punësuar në vitin 1981 dhe kishte punuar deri në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, respektivisht deri më 22 korrikut 1991. Më 13 korrik 2005, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Suharekë, për realizimin e pagave të papaguara nga ndërmarrja në fjalë, dhe Gjykata Komunale në Suharekë, me Aktvendimin [C.nr.205/05] e 23 shatorit 2005, e kishte shpallur veten jokompetente dhe ia kishte dërguar lëndën Dhomës se Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DhPGjS). Në janar 2011, ndërmarrja N.Sh. NBI Suhareka i ishte nënshtruar procedurave të likuidimit dhe lidhur me ketë proces ishte njoftuar parashtruesja e kërkesë, e cila në mars dhe korrik 2011 kishte parashtruar ankesë për kompensimin e pagave të parealizuara për periudhën 22 korrik 1991, deri më 30 qershor 1999, dhe ankesa e saj ishte refuzuar nga autoriteti i likuidimit, më 10 mars 2014. Kundër këtij vendimi, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë në DhPGjS, kolegji i specializuar i së cilës më 10 mars 2020 e kishte refuzuar ankesën e saj për arsye se kishte ndodhur parashkrimi. E pakënaqur me këtë vendim, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit të DhPGjS-së, i cili me Aktgjykimin e 21 janarit 2021 e refuzoi ankesën e saj. Kundër këtij vendimi parashtruesja e kërkesës i ishte drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese, e cila me Aktgjykimin (rasti KI44/21) e 1 shkurtit 2021, konstatoi se Aktgjykimi i 21 janarit 2021 i Kolegjit të Apelit i DhPGjS ishte marrë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj, respektivisht në shkelje të së drejtës për seancë dëgjimore, duke mos paragjykuar rezultatin e  meritave të rastit, në procedurën e rivendosjes. Kolegji i Apelit, në riprocedurë të shqyrtimit të çështjes, dhe në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, më 23 maj 2022 nxori Aktgjykimin [AC-I-22-0133], më të cilin u refuzua ankesa e parashtrueses së kërkesës me arsyetimin se pasi analizimit të ankesës u konstatua se Aktgjykimi [C-IV14-2470] i ankimuar i shkallës së parë i DhPGjS ishte i drejtë dhe i bazuar në ligj prandaj edhe e vërtetoi të njëjtin.

Parashtruesja e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të saj, të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe me nenet: 6 [E drejta për një proces të rregullt], 13 [E drejta për zgjidhje efektive] dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 12 [Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

Gjykata Kushtetuese fillimisht vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se ajo ishte palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoriteti publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor parej katër muajve. Më pas, Gjykata adresoi pretendimin thelbësor të parashtrueses së kërkesës që ndërlidhej me të drejtën për “vendim të arsyetuar gjyqësor”, duke aplikuar parimet e përgjithshme të përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, arriti në përfundimin që në rastin e parashtrueses së kërkesës në lidhje me procedurën e rivendosjes për themelin e ankesës, janë respektuar të gjitha kriteret e lartcekura nga ana e Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, duke shtuar se konkluzionet e tij sikurse janë dhënë në Aktgjykimin [AC-I-22-0133] e 23 majit 2022, janë në pajtueshmëri me standardet e kërkuara nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së, meqë i njëjti përmban lidhje logjike, ndërmjet bazës juridike të aplikuar, arsyetimit dhe përfundimeve të nxjerra.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin saj të publikuar, Gjykata kolaudoi: (i) se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në kuptim të së drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe të vlerësimit të procedurës në tërësinë e saj, i takonin kategorisë së tretë, të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara , dhe (ii) pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve 24, 32 dhe 54 të Kushtetutës, të nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNj-së, i takonin po ashtu kategorisë së tretë, nënkategorisë (a), të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, u shpall qartazi e pabazuar dhe e papranueshme.

Parashtruesit:

Besa Sopi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile