KI12/24, Parashtrues Mehmet Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-22-0032, i 9 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
KI12/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 26 nëntorit 2024, publikuar më 20 dhjetor 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, publikimi i aktgjykimit në tabelat e shpalljes, kërkesë e pasafatshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kompensim të diferencës në metra katror të banesës, të cilën banesë e kishte përfituar punëdhënësi i tij, respektivisht Ndërmarrjes Shoqërore Industria e Bukës dhe Ëmbëlsirave “Kosovarja” në vitin 1982 dhe për të cilin organi punëdrejtues i punëdhënësit të tij kishte konstatuar se e njëjta nuk përmbushë nevojat familjare të tij andaj në rast të ndarjes së banesave të reja, t’i akordohet një e tillë në madhësi adekuate. Punëdhënësi gjatë ndarjes së banesave të reja, ia ndau një punëtori tjetër një banesë më të madhe, të cilin vendim, asokohe, parashtruesi e kishte sfiduar para gjykatave të rregullta me pretendimin se të njëjtën duhej ta përfitonte ai, nga i cili proces përfundimisht, gjykatat e rregullta detyruan punëdhënësin që të bëjë rindarjen e banesës për punëtorin tjetër. Në vitin 2006, parashtruesi parashtroi kërkesë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit duke kërkuar të drejtat pronësore mbi banesën e punëtorit tjetër, si dhe më pas në vitin 2014 një kërkesë tjetër për kompensimin e diferencës së banesës për metra katror, mirëpo agjencia në fjalë e refuzoi të njëjtën me arsyetimin se kërkesa ishte e pambështetur. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës në vitin 2014 parashtroi padi për kompensimin e diferencës në metra katror të banesës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, të cilën padi, Kolegji i Specializuar i kësaj gjykate e refuzoi si të pabazuar me arsyetimin se punëdhënësi në cilësinë e të paditurit ishte i detyruar vetëm që të përsëriste procedurën e ndarjes së banesave dhe se këto vendime nuk ia kishin njohur parashtruesit të kërkesës të drejtën në kompensim material nëse nuk përsëritet procedura e ndarjes së banesave dhe të cilin aktgjykim e vërtetoi edhe Kolegji i Apelit i po kësaj gjykate.
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesën e tij para Gjykatës Kushtetuese më 15 janar 2024, ku ngriti çështjen e shkeljes së të drejtës në pronë, të garantuar përmes nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar që Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme përmes aktgjykimit të saj të 9 shkurtit 2023, ia ka shkelur këtë të drejtë pasi që ia ka refuzuar kërkesëpadinë për kompensim të diferencës për metra katror të banesës.
Gjykata vlerësoi që objekt i çështjes është vlerësimi i Aktgjykimi [AC-I-22-0032], i 9 shkurtit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili u publikua në tabelat e shpalljes nga 15 marsi 2023 deri më 22 mars 2023 në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi që dështoi dorëzimi përmes postës te parashtruesit i kërkesës pas dy përpjekjeve.
Gjykata bazuar në legjislacionin në fuqi, konsideroi se parashtruesi i kërkesës është njoftuar me përmbajtjen e Aktgjykimit të kontestuar 7 (shtatë) ditë nga dita e afishimit në tabelën e shpalljeve të gjykatës, e cila datë ishte 15 mars 2023, respektivisht, më 22 mars 2023, ndërsa kërkesën në Gjykatë e kishte dorëzuar më 15 janar 2024, që do të thotë se kërkesa e parashtruesit ishte dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar ligjor. Rrjedhimisht, Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim. Gjykata po ashtu vendosi për refuzimin e kërkesës së parashtruesit për moszbulim të identitetit.
Mehmet Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile