Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0759-A0001] të 23 marsit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI85/23

Parashtruesit: Dardan Fisher

Shkarko:

KI85/23, Parashtrues: Dardan Fisher, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës [AC-I-21-0759-A0001], të 23 marsit 2023

KI85/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për  gjykim të drejtë dhe të paanshëm, seancë dëgjimore, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me dy kërkesa që parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur tek Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, që ndërlidhen me (i)  kompensimin e pagave të papaguara për periudhën tetor 2003 – qershor 2014, si dhe (ii) kërkesën për kompensimin e gjashtë pagave si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës. Autoriteti i Likuidimit i AKP-së, përmes dy vendimeve refuzon kërkesat e parashtruesit. Kësisoj, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për gjashtë paga si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës. Më pas përmes një parashtrese kërkoi gjithashtu që të shfuqizohet Vendimi i Autoritetit të AKP-së që ndërlidhet me pagat e papaguara për periudhën kohore 2004 – 2013. Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme lëshoi një urdhër duke kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që të qartësoj kërkesën e vet sepse e njëjta është kontradiktore. Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme aprovoi kërkesën e parashtruesit që ndërlidhet me ndërprerjen e parakohshme të punës, ndërsa kërkesën e parashtruesit lidhur me pagesën e pagave nga viti 2004 deri në 2013, e hodhi poshtë si të papranueshme, me arsyetimin se ky vendim nuk ka qenë objekt i kërkesëpadisë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegj të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ku në mënyrë specifike e konteston vetëm hedhjen poshtë të ankesës sa i përket Vendimit të Autoritetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të 3 prillit 2015, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave të papaguara. Sipas tij, nuk qëndron konstatimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme se padia është e pasafatshme, pasi që kundër këtij Vendimi parashtruesi i kërkesës ngriti padi më 7 prill 2015 dhe ky Vendim është dërguar në gjykatë më 15 tetor 2021. Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme më pas refuzoi si të pabazuar ankesën e parshtruesit.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]. Thelbi i pretendimeve të parashtruesit kishte të bënte me mos-mbajtje të seancës dëgjimore, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij nuk është respektuar parimi i drejtpërdrejtshmërisë dhe kontradiktoritetit dhe se të dy shkallët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kanë vepruar sikur të vendosnin të refuzonin kërkesën e tij për shkaqe procedurale, ndërkohë që sipas tij çështja ishte meritore.

Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme të vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtën për seancë dëgjimore sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe më pas do të aplikojë të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, konstatoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Dardan Fisher

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative