Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-19-0167, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 29 prillit 2021

Nr. të lëndës KI142/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI142/21, Parashtrues: Muharrem Aliu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-19-0167, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 29 prillit 2021

KI142/21, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, publikuar më 13 qershor 2022

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mos-zbatim i vendimit, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që rasti ndërlidhet me privatizimin e Ndërmarrjes Shoqërore NSH “Feronikeli” dhe të drejtat e punëtorëve përkatës për parashtrimin e kërkesave kreditore. Parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në NSH “Feronikeli”, deri më 29 prill 1992 kur i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës. Pas inicimit të procedurës gjyqësore, më 7 prill 1998, Gjykata Komunale në Prishtinë, e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke detyruar NSH “Feronikeli” që parashtruesin e kërkesës ta kthejë në marrëdhënie të punës, në vendin e punës në të cilin kishte qenë, me të gjitha të drejtat e punës, duke filluar nga data e ndërprerjes së marrëdhënies së punës e deri në kthimin në punë. Si rezultat i rrethanave në atë kohë, parashtruesi i kërkesës nuk kishte pasur mundësi që të realizojë zbatimin e Aktgjykimit të lartcekur. Pas privatizimit të NSH “Feronikeli”, kjo e fundit, iu nënshtrua procesit të likuidimit. Në këtë aspekt, AKM kishte publikuar në ueb-faqe si dhe në gazetën “Koha Ditore”, njoftim lidhur me mundësinë e aplikimit të kreditorëve të NSH “Feronikeli” deri më 26 shtator 2006. Më 3 gusht 2007, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën e tij në AKP për kompensimin e pagave të papaguara. Kërkesa e parashtruesit të kërkesës u refuzua nga Autoriteti për Likuidim i AKP-së. Më pas, Autoriteti i Likuidimit kishte kërkuar sërish nga parashtruesi sqarim për dorëzimin e kërkesës për kompensim,  jashtë afatit të paraparë. Kundër Vendimit të lartpërmendur, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në DHPGJS, duke kërkuar ndryshimin e Vendimit dhe njohjen e të drejtës në pagat e papaguara si rezultat i largimit të kundërligjshëm nga puna si dhe duke kundërshtuar konstatimin e Komisionit për Likuidim të AKP-së, lidhur me pranimin e kërkesës për sqarim. DHPGJS, në shkallë të parë, e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Vendimin e Autoritetit të Likuidimit si të drejtë dhe të bazuar në ligj. Kundër këtij të fundit, parashtruesi i kërkesës, dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, me pretendimin për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Kolegji i Apelit i DHPSGJS-së, ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar.

Të gjitha këto konstatime parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës, duke pretenduar në thelb se i janë shkelur dy komponentë të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe që kanë të bëjnë me: (i) moszbatim të vendimit të formës së prerë, në mënyrë specifike të Aktgjykimit  [P.1.nr.4741/92]  të Gjykatës Komunale në Prishtinë të 7 prillit 1998; dhe (ii) pretendimit për shkeljen e nenit 3 dhe 24 të Kushtetutës.

Parashtruesi i kërkesës gjithashtu përmes plotësimit të kërkesës së tij fillestare, dorëzuar në Gjykatës më 2 shtator 2021, kishte ngritur pretendime që ndërlidhen me mos-mbajtje të seancës dëgjimore lidhur me rastin e tij.

Së pari lidhur me kërkesën e parashtruesit për plotësimin e kërkesës, Gjykata në përputhje me paragrafin (2) dhe (3) të rregullit 33 dhe paragrafin (1) të rregullit 34, të Rregullores së Punës,  konstatoi se parashtresa e dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës për plotësimin e kërkesës është dorëzuar jashtë  afateve procedurale dhe bie jashtë fushëveprimit të rregullave të sipërcekura, dhe kjo për arsye se kërkesa fillestare është dorëzuar më  10 gusht 2021, ndërsa dokumentet shtesë për plotësimin e pretendimit të saj janë dorëzuar më 2 shtator 2021. Për me tepër, parashtresa e dorëzuar më 2 shtator 2021 nuk ka të bëjë me përmirësimin e gabimeve teknike apo numerike të kërkesës fillestare, por ndërlidhej me plotësimin e pretendimit dhe dorëzimin e informatës shtesë.

Në ndërlidhje me pretendimin e parashtruesit për mos-zbatim të  vendimit të formës së prerë,  Gjykata konkludoi se parashtruesi i  kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit për shkeljen e nenit 3 dhe 24 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur pretendimin e tij se si është diskriminuar dhe, rrjedhimisht, nuk ka mbështetur pretendimin e tij për diskriminim në procedurë para gjykatave të rregullta

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Muharrem Aliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative