Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-16-0150 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 21 shkurtit 2020 dhe Vendimit Rev. nr. 359/2019, të Gjykatës Supreme, të 15 janarit 2020
Nr. të lëndës KI 99/20
Parashtruesit: Tatjana Stefanović
KI99/2o Parashtrues: Tatjana Stefanović, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-16-0150 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 21 shkurtit 2020 dhe Vendimit Rev. nr. 359/2019, të Gjykatës Supreme, të 15 janarit 2020
KI 99/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 shtatorit 2021, publikuar më 18 tetor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të DHPGJS-së, kërkesë qartazi e pabazuar
Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Parashtruesja pretendon se Kolegji i Apelit të DHPGJS -së, duke refuzuar ankesën e saj si të pabazuar, ka shkelur të drejtat e saj të mbrojtura me nenet 24, 31, 32 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Pretendimi kryesor i parashtrueses së kërkesës ishte i lidhur me shkeljen e pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së lidhur me miratimin e Aktgjykimit të kontestuar, përkatësisht Aktgjykimit [AC-I-16-0150] të 21 shkurtit 2020 të Kolegjit të Apelit në kundërshtim me nenet 71 dhe 72 të Ligjit të Punës nr. 03/L-212.
Lidhur me këto pretendime, përkatësisht miratimin e aktgjykimit të kontestuar, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të punës nr. 03/L-212, Gjykata vëren së pari se ata nuk i kanë sqaruar dhe paraqitur në mënyrë adekuate faktet e shkeljes së të drejtave kushtetuese ose dispozitave. Për më tepër, Gjykata vëren se pretendimet e mësipërme për shkelje të Ligjit të punës nr. 03/L-212, u sqaruan nga gjykatat e rregullta.
Gjykata gjithashtu rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të neneve 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës si dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke paraqitur pretendime të përgjithshme para Gjykatës pa sqaruar saktë dhe në mënyrë adekuate faktet dhe pretendimet e shkeljes së këtyre të drejtave kushtetuese.
Në rrethanat e rastit në fjalë, parashtruesja e kërkesës përtej referimit të neneve të caktuara të Kushtetutës dhe përmbajtjes së tyre, dhe përveç formulimit të pretendimeve të përgjithshme, nuk arsyetoi qartë dhe në mënyrë adekuate se si u shkelën këto nene me aktgjykimin e kontestuar. Prandaj, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve të mësipërme të Kushtetutës bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Në kontekstin e kësaj kategorie të pretendimeve, Gjykata, bazuar në paragrafët (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së saj të punës dhe praktikën e vet gjyqësore, ka theksuar vazhdimisht se (i) palët kanë detyrim të qartësojnë dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe mbështesin në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave ose dispozitave kushtetuese.
Prandaj, bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh karakteristikat specifike të rastit, pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ajo, Gjykata, duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje (i) të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ -së, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit në fuqi në rrethanat e rastit të saj, përbëjnë pretendime „të shkallës së katërt”; ndërsa pretendimet (ii) për shkelje të neneve 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës si dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së përbëjnë pretendime „të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në nenin 113.7 të Kushtetutës dhe paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Tatjana Stefanović
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Civile