Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-15-0211-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të 3 shtatorit 2020

Nr. të lëndës KI 03/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI03/21, Parashtrues: Rrahim Ramadani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-15-0211-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të 3 shtatorit 2020

KI03/21, Vendim për refuzim të kërkesës, i 5 majit 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë e paplotësuar, vendim për refuzim

Nga shkresat e lëndës rezultoi se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kërkesë të parashtruesit të kërkesës për kompensimin e një borxhi në vlerë prej 2.7000 euro, kundër N.SH “19 Qershori” ku parashtruesi pretendon se në vitit 1989 kishte bërë pagesën për një mall dhe të njëjtin nuk e kishte marrë asnjëherë. Parashtruesi i kërkesës fillimisht i ishte drejtuar AKP-së, e cila e kishte refuzuar kërkesën e tij. Më pas i ishte drejtuar Kolegjit të Specializuar me padi kundër vendimit të AKP-së dhe Kolegji i Specializuar kishte refuzuar ankesën si të pabazuar me arsyetimin se kërkesa tashmë ishte parashkruar. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Kolegjin e Apelit, ky i fundit refuzoi ankesën dhe e vërtetoi Aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi Aktgjykimit [AC-I-15-0211-A0001] të 3 shtatorit 2020, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk kishte specifikuar se cilat të drejta dhe liri të garantuara me Kushtetutë pretendon se i janë shkelur përmes vendimit të kontestuar.

Marrë parasysh faktin se kërkesa e parashtruesit nuk ishte e kompletuar, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë kërkesën e tij, duke dorëzuar në Gjykatë i) Aktgjykimin [DHPGJS,C-IV-13-1020] të 22 shtatorit 2015 të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme dhe ii) të sqaroj kërkesën e tij para Gjykatës.

Parashtruesi i kërkesës nuk iu përgjigj kërkesës së Gjykatës.

Andaj, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës së Gjykatës, prandaj vendosi që kërkesa të refuzohet me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Rrahim Ramadani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës