KI109/23, Parashtrues Basri Blakqori, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-15-0157-A0001 të 3 shkurtit 2023 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
KI109/23, Aktvendim për papranueshmëri i 1 tetorit 2024, publikuar më 13 nëntor 2024;
Fjalët kyçe: tenderi publik; çmimi i tregut; arsyetim i vendimit;
Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ofertë në tenderin publik të shpallur nga AKP-ja, për blerjen e një prone të paluajtshme. Oferta e parashtruesit të kërkesës ishte më e larta, mirëpo Bordi i AKP-së e anuloi tenderin e shpallur me arsyetimin se oferta e parashtruesit të kërkesës nuk është në përputhje me vlerën reale të tregut të pronës së paluajtshme. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, me pretendimin se vendimi i Bordit të AKP-së ishte arbitrar dhe i pabazuar në analizën e saktë të tregut. Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe argumentoi se Bordi i AKP-së e kishte autoritetin e plotë për të vendosur për shitjen e pronës dhe për të hyrë në raporte kontraktuale.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykata me pretendimin se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, përkitazi me tejzgjatjen e procedurës gjyqësore, mosarsyetimin e vendimit, shkeljen e barazisë së armëve dhe mosmbajtjen e seancës dëgjimore; dhe shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës për cenimin e pronës.
Gjykata theksoi se procesi gjyqësor në këtë rast nuk lidhej me çështje për të cilat kërkohet vendimmarrje e shpejtë dhe urgjente prandaj nuk kishte tejzgjatje të procedurës gjyqësore. Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta ofruan arsyetime të mjaftueshme për pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe i ofruan mundësinë për parashtrimin e argumenteve. Gjykata vlerësoi se mosmbajtja e seancave dëgjimore ishte e arsyeshme, për faktin se rasti kishte të bënte vetëm me interpretime të ligjit dhe nuk u pa e nevojshme mbajtja e tyre. Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte e kishte fituar pronësinë mbi pronën e paluajtshme por vetëm synonte blerjen e saj, prandaj nuk bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të tij pronësore.
Basri Blakqori
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri