KI178/23, Parashtrues: Bogoljub Rakić, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AA. nr. 804/2021 të Gjykatës së Apelit të 4 tetorit 2022
KI178/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 janarit 2024, publikuar më 22 shkurt 2024
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, kërkesë e paafatshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Komunën e Podujevës, për regjistrimin e një prone shoqërore të ndëmarrjes Kooperativa Bujqësore “Përparimi” në Podujevë, duke kërkuar që mbi të njëjtën, t’i bartet dhe të regjistrohet pronësia, me pretendimin se bazuar në Aktgjykimin e 24 prillit 1996 të Gjykatës Komunale në Kurshumli, dega në Podujevë, parashtruesit i ishte njohur e drejta e pronësisë mbi ngastrën kontestuese. Pas refuzimit të ankesës nga Komuna e Podujevës dhe nga Agjencia Kadastrale, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore duke kërkuar anulimin e Vendimit të Agjencisë Kadastrale dhe njohjen e të drejtës në pronë mbi ngastrën kontestuese. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar. Vendimi i Gjykatës Themelore ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit. Më pas, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Prokurorit të Shtetit, ku ky i fundit përmes Njoftimit, njoftoi parashtruesin se në rastin konkret nuk ka bazë ligjore për të iniciuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktgjykimit [AA. nr. 804/2021] të 4 tetorit 2022, të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë që t’i drejtohet Gjykatës. Megjithatë, ai ka përdorur mjete juridike, si propozimin për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë i cili nuk ka qenë në diskrecion të tij. Gjykata, në rastin konkret, pasi që konstatoi se në rastin konkret si vendim i fundit është Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, konstatoi se kërkesa e parashtruesit nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës
Bogoljub Rakić
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative