KI209/22, Parashtrues: Naime Krasniqi – Jashanica, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit A. A. nr. 10/2022, të 22 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI209/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 janarit 2024, publikuar 13 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest nga marrëdhënia e punës. Parashtruesja e kërkesës ushtron pozitën e gjyqtares në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndaj saj ishte ngritur procedurë disiplinore në lidhje me mosprocedimin në kohë të një lënde penale PPRKR. nr. 741/21. Në lidhje me këtë çështje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte caktuar një panel hetimor për të hetuar shkeljet e supozuara disiplinore të kryera nga parashtruesja e kërkesës. Paneli hetimor me këtë rast kishte dëgjuar fillimisht parashtruesen e kërkesës dhe më pas i kishte propozuar asaj një marrëveshje vullnetare, e cila përmbante disa kushte dhe si kompromis, nëse e njëjta do e pranonte fajësinë, do t’i shqiptohej asaj një vërejtje jopublike me shkrim. Ky propozim ishte pranuar nga parashtruesja e kërkesës, por jo edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sepse ky i fundit vlerësoi se masa e propozuar ishte joproporcionale me shkeljet disiplinore të shkaktuara nga parashtruesja e kërkesës. Për rrjedhojë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës përfundimisht mori vendim për transferimin e saj nga departamenti i krimeve të rënda në departamentin e përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Parashtruesja e kërkesës më pas e kishte apeluar vendimin e KGJK-së në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën e saj, si të pabazuar.
Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimin e KGJK-së, kanë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i (i) aplikimit arbitrar të ligjit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe i (ii) mungesës së arsyetimit të aktgjykimit nga ana e Gjykatës Supreme.
Referuar pretendimit të parë të parashtrueses së kërkesës, Gjykata pasi analizoi këtë pretendim, dhe duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të sajën, konstatoi se në rrethanat e rastit konkret parashtruesja e kërkesës në të vërtetë nuk kishte arritur të ngrejë në nivel kushtetutshmërie shkeljen e pretenduar për aplikim arbitrar të ligjit nga ana e Gjykatës Supreme. Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se nuk është përmbushur kriteri përjashtues, kur interpretimi i normës së ligjit të aplikueshëm nga ana e autoritetit publik mund të ketë qenë qartazi i gabuar dhe të ketë rezultuar kësisoj në konkluzione arbitrare apo qartazi të paarsyeshme. Për sa i përket pretendimit të dytë për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme dhe i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret konsideroi se Gjykata Supreme, nëpërmjet aktgjykimit të saj kishte adresuar të gjitha pretendimet thelbësore të cilat ishin ngritur nga parashtruesja e kërkesës nëpërmjet ankesës së ushtruar kundër vendimit të KGJK-së. Gjykata tutje shtjelloi se fakti se Gjykata Supreme është pajtuar me mënyrën e zbatimit të së drejtës materiale dhe mënyrën e vlerësimit të fakteve nga ana e KGJK-së, nuk përbën në vetvete një pretendim të argumentueshëm për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se kur ngritën pretendime për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, parashtruesit e kërkesave në mënyrë specifike duhet t’i argumentojnë supozimet e tyre për shkelje të kësaj të drejte, duke qartësuar se cili pretendim i ngritur nga ta nuk është adresuar nga gjykata respektive dhe pse marrja në konsideratë e atij pretendimi ishte thelbësore dhe me peshë për të marrë një vendim tjetër nga gjykata që ka vendosur për çështjen.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: (I) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i aplikimit arbitrar të ligjit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me shkeljen e të drejtës për vendime të arsyetuara nga Gjykata Supreme, të garantuara me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1, të nenit 6 të KEDNj-së, i takonin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të pambështetura ose të paarsyetuara, andaj si të tilla, në baza kushtetuese të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Naime Krasniqi - Jashanica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër