KI217/22, parashtrues Nuri Rexha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [2021:206775] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 20 shtatorit 2022
KI217/22, Aktvendim për papranueshmëri i 21 janarit 2024, publikuar më 7 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, pretendime të paarsyetuara
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës dhe personi G.K kishin lidhur një kontratë paraprake për blerjen e objektit afarist që G.K është dashur të ndërtojë. Meqenëse objekti afarist nuk ishte ndërtuar brenda afatit të caktuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë-padi në Gjykatën Themelore kundër personit G.K. si dhe personit E.B., me të cilën kërkoi anulimin e parakontratës dhe kthimin e shumës së parave që i kishte dhënë në bazë të parakontratës. Gjykatat e rregullta e refuzuan kërkesën.
Gjykata Themelore e pranoi pjesërisht kërkesëpadinë, e anuloi parakontratën dhe e urdhëroi personin G.K që parashtruesit t’ia kthejë shumën e parave të paguara, ndërsa pjesën e dytë të kërkesë-padisë kundër personit E.B, e refuzoi si të pabazuar.
Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi ankesën. Parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, të cilin kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar.
Pikërisht ky fakt bëri që parashtruesi i kërkesës të parashtrojë kërkesë në Gjykatë duke konsideruar se gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke pasur parasysh se përfaqësuesi i parashtruesit nuk kishte shpjeguar se në çfarë mënyre gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat e garantuara me nenet e lartpërmendura, Gjykata i dërgoi një shkresë shtesë në të cilën i kërkoi atij të arsyetonte pretendimet e tij. Megjithatë, edhe në përgjigjen plotësuese, përfaqësuesi i parashtruesit dështoi ta bënte këtë.
Duke pasur këtë parasysh, Gjykata e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit, duke konkluduar se parashtruesi i kërkesës në asnjërin nga pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet 21, 22, 24, 31 dhe 53 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së nuk i ka përmbushur kërkesat e paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës lidhur me arsyetimin dhe argumentet e hollësishme përkitazi me pranueshmërinë dhe meritat e kërkesës së tij.
Nuri Rexha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile