Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i Aktvendimit PN. nr. 250/2024 të 14 shkurtit 2024 të Gjykatës së Apelit të Kosovës

Nr. të lëndës KI82/24

Parashtruesit: Shpejtim Ahmeti

Shkarko:

KI82/24, Parashtrues: Shpejtim Ahmeti, Vlerësim i Aktvendimit PN. nr. 250/2024 të 14 shkurtit 2024 të Gjykatës së Apelit të Kosovës

KI10/24, Aktvendim për papranueshmëri i 30 tetorit 2024, publikuar më 6 dhjetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, interpretim i gabuar i ligjit, parashkrim, letërrreshtim ndërkombëtar, kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë duke vuajtur dënimin me burgim, përmes Urdhëresës së Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë, i ishte suspenduar dënimi për shkaqe shëndetësore. Meqenëse i njëjti gjendej në arrati, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, kundër tij ishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatën Themelore kërkesë për pezullim të procedurës për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, kërkesë e cila u refuzua si e pabazuar me arsyetimin se në rastin e tij nuk kishte rrjedhur afati i parashkrimit gjatë kohës që i ishte suspenduar dënimi me burgim për arsye shëndetësore. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljes së dispozitave ligjore të Kodit Penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Gjykata e Apelit e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, duke konstatuar se  në rastin e parashtruesit të kërkesës nuk kishte parashkrim relativ dhe absolut të ekzekutimit të dënimit dhe se Gjykata Themelore drejtë kishte zbatuar të drejtën materiale, përkatësisht Ligjin Penal të RSFJ-së, si ligj më i favorshëm pasi që parashikonte afate më të shkurtra për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, shkel të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës, në lidhje me nenet 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Përkitazi me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit, ndërkaq për sa i përket shkeljes së të drejtës për liri të lëvizjes nga neni 35 i Kushtetutës, i njëjti pretendoi se letërrreshtimi ndërkombëtar i lëshuar kundër tij nga Gjykata Themelore ishte lëshuar gjatë periudhës së parashkrimit absolut të dënimit.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për interpretim të gabuar të ligjit, respektivisht lidhur me zbatimin e ligjit më të favorshëm, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se si interpretimi i ligjit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore është qartazi i gabuar apo arbitrar dhe të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” për të. Më tej, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për liri të lëvizjes nga neni 35 i Kushtetutës si rezultat i letërrreshtimit ndërkombëtar të lëshuar gjatë periudhës kohore kur ekzekutimi i dënimit në rastin e tij kishte arritur parashkrimin absolut kohës, Gjykata konstatoi se i njëjti ishte i pambështetur dhe i paarsyetuar, pasi që Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kishin vlerësuar se nuk kishte parashkrim absolut dhe as parashkrim relativ të veprës penale dhe se afati i parashkrimit nuk kishte rrjedhur gjatë kohës që i ishte suspenduar dënimi. Në fund, lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 21 dhe 23 të Kushtetutës si dhe të nenit 5 të KEDNJ-së, Gjykata vlerësoi se i njëjti nuk kishte shtjelluar se si dhe pse ka ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, nga neni 31 i Kushtetutës, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, i përkasin kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt” ; ndërkaq pretendimet për shkelje të nenit 35 të Kushtetutës dhe neneve 21 dhe 23 të Kushtetutës si dhe të nenit 5 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe se të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

Shpejtim Ahmeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale