KI254/23, Parashtrues: “MATKOS GROUP” SH.P.K., Vlerësim i Aktvendimit ARJ. nr. 44/2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 31 majit 2023
KI254/23, Aktvendim për papranueshmëri i 26 qershorit 2024, publikuar më 30 korrik 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, zbatim i gabuar i ligjit, dorëzuar jashtë afatit
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës i është drejtuar për herë të dytë Gjykatës me kërkesë. Lidhur me kërkesën e parë, Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë aktgjykimin në rastin KI36/22, përmes së cilit shpalli të pavlefshëm aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës, pasi konstatoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si rezultat i mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor. Në lidhje me këtë, Gjykata Supreme, më pas, nxori Aktvendimin [ARJ. nr. 44/2023] e 31 majit 2023, me ç’rast vlerësoi se ishin plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të MEA-së dhe se, gjykatat e rregullta, përderisa duhet të japin arsyetim të mjaftueshëm lidhur me vendimin, duhet gjithashtu të tregohen të kujdesshëm në komentimin e vendimit të atakuar që të mos paragjykohet çështja.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se aktvendimi i ri, përkatësisht Aktvendimi [ARJ. nr. 44/2023] i 31 majit 2023 i Gjykatës Supreme, i nxjerrë në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës në rastin nr. KI 36/22, vazhdon të cenojë të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe nenin 54 të Kushtetutës. Deri tek shkelja e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon se ka ardhur si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe zbatimit të gabuar të ligjit.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, me qëllim që të përcaktohej nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, dhe duke evidentuar nga shkresat e lendes mospërputhshmëri të të dhënave në lidhje me këtë, kishte kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që të dorëzojë në Gjykatë dëshmi se kur dhe nga kush ishte pranuar aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi përgjigje në shkresën e Gjykatës, duke specifikuar datën dhe emrin e personit që kishte pranuar aktin e kontestuar, të dhëna të cilat nuk përputheshin me të dhënat e specifikuara në fletëkthesën që kishte dorëzuar Gjykata Themelore. Gjykata konstatoi se nga fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërtetohej që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 11 korrik 2023 ndërkaq kërkesën e tij në Gjykatë e kishte dorëzuar më 15 nëntor 2023, më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të aktvendimit të kontestuar.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata, konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
“MATKOS GROUP” SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile