Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i Aktgjykimit Aktgjykimit [K.Dh.Sh.II.nr.720/23] të 11 dhjetorit 2023 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë

Nr. të lëndës KI10/24

Parashtruesit: “Agrounion SH.P.K.”

Shkarko:

KI10/24, Parashtrues: “Agrounion SH.P.K.”, Vlerësim i Aktgjykimit Aktgjykimit [K.Dh.Sh.II.nr.720/23] të 11 dhjetorit 2023 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë

KI10/24, Aktvendim për papranueshmëri i 4 shtatorit 2024, publikuar më 11 tetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, zbatim i gabuar i ligjit, barazia e armëve, kërkesë e papranueshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se përmes vendimit të Zyrës Doganore në Podujevë, malli lëndor i paraqitur për zhdoganim nga parashtruesi i kërkesës nuk klasifikohej si “fungicid” siç kishte deklaruar, por si “sulfat bakri” që i nënshtrohej pagesës së taksave doganore. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Doganë kërkesë për rishqyrtim të këtij vendimi, kërkesë kjo e cila u refuzua si e pabazuar. Më pas, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatën Themelore padi kundër Doganës, të cilën Gjykata Themelore e aprovoi si të bazuar, duke e kthyer lëndën për rishqyrtim tek Dogana, me arsyetimin se nuk përmbante arsye të mjaftueshme për ndryshimin e kodit tarifor dhe se në nxjerrjen e Mendimit për klasifikimin tarifor të mallit nuk ishte shqyrtuar dokumentacioni përcjellës i mallit lëndor. Në rivendosje, Dogana, refuzoi kërkesën për rishqyrtim të vendimit të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës me arsyetimin se nga analizimi i shkresave vërtetohej se parashtruesi i kërkesës kishte bërë deklarim të pasaktë të kodit tarifor për mallin lëndor. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë, padi e cila u refuzua si e pabazuar nga kjo e fundit me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk kishte   paraqitur dëshmi për të mbështetur kodin tarifor të deklaruar përmes deklaratës unike doganore kontestuese dhe se nuk kishte ofruar si provë Informatën Tarifore të detyrueshme nga BE-ja apo vendi eksportues ose i origjinës së mallit. I pakënaqur me këtë aktgjykim, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë, ku kjo e fundit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë, si të drejtë dhe të bazuar me ligj.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë, shkel të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, në lidhje me nenet 1 të Protokollit Nr. 1, 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së. Parashtruesi i  kërkesës po ashtu pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 7, 8 dhe 10 të DUDNJ-së. Përkitazi me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje për shkak të (i) cenimit të parimit të barazisë së armëve; (ii) zbatimit të gabuar të ligjit; dhe (iii) mosarsyetimit të vendimit gjyqësor.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me parimin e barazisë së armëve, zbatimin e gabuar të ligjit dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore si dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cenim të parimit të barazisë së armëve për faktin se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë nuk kishte pritur dhe nuk kishte marrë parasysh fjalën përfundimtare të tij, Gjykata konstatoi se nga arsyetimi i aktgjykimit në fjalë vërehej se ishte mbështetur në fjalën e tij përfundimtare si dhe nga shkresat e lëndës rezultonte se parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar fjalën e tij përfundimtare. Ndërkaq, përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim arbitrar të ligjit, respektivisht të nenit 18 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se si interpretimi i ligjit nga Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë është qartazi i gabuar apo arbitrar dhe të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” për të. Më tej, lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mosarsyetim të vendimit gjyqësor lidhur me ndryshimin e kodit doganor, Gjykata konstatoi se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë ka adresuar dhe u është përgjigjur pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes ankesës. Në fund, lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 32, 54 dhe 119 të Kushtetutës në lidhje me nenet 13 dhe 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së si dhe me nenet 7, 8 dhe 10 të DUDNJ-së, Gjykata vlerësoi se i njëjti nuk kishte shtjelluar se si dhe pse ka ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i cenimit të parimit të barazisë së armëve dhe mosarsyetimit të vendimit gjyqësor i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, ndërkaq pretendimet për zbatim të gabuar të ligjit, i përkasin kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt” dhe se të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Poashtu, pretendimet për shkelje të neneve 32, 54 dhe 119 të Kushtetutës në lidhje me nenet 13 dhe 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së si dhe të neneve 7, 8 dhe 10 të DUDNJ-së, Gjykata i vlerësoi si pretendime që i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim.

Parashtruesit:

“Agrounion SH.P.K.”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile