Aktvendim

Sami Bunjaku kundër Vendimit të Trupit Gjykues të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, SCC 10-0079, dhe për Kushtetutshmërinë e Udhëzimit Administrativ të UNMIK-ut Nr. 2008/6 për ndryshimin dhe zëvendësimin e Udhëzimit Administrativ të UNMIK-ut Nr. 2008/17, për zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2002/13 për themelimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit

Nr. të lëndës KI 34/11

Përmbledhje

Parashtruesi kishte dorëzuar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e tij sipas neneve 5, 23, 24 dhe 31 të Kushtetutës, nga vendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e Parashtruesit për verifikimin e pronësisë mbi tokën, për shkak se ai nuk i ishte përmbajtur një Urdhri që kërkonte nga ai të përkthente në gjuhën angleze të gjitha dokumentet e parashtruara në gjykatë siç kërkohej me dispozitat e Rregullores së UNMIK-ut Nr.2002/13. Parashtruesi pretendonte se aktgjykimi i Dhomës së Posaçme ishte i padrejtë sepse ai kërkonte që në komunikimin me gjykatën të përdorej një gjuhë jozyrtare, duke shtuar se mjeti juridik do të ishte në interes publik, Gjykata vendosi se Kërkesa ishte e papranueshme sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese pasi që ende nuk ishte zgjidhur ankesa e tij në Kolegjin e Ankesave të Dhomës së Posaçme, gjë që tregonte se ai nuk kishte shteruar të gjitha mjetet juridike, duke cituar rastet Universiteti AAB-RIINVEST SHPK kundër Qeverisë së Kosovës dhe Selmouni kundër Francës. Gjykata po ashtu konstatoi në bazë të nenit 113.2 të Kushtetutës se Parashtruesi nuk ishte palë e autorizuar për të kontestuar kushtetutshmërinë e ligjit

Parashtruesit:

Sami Bunjaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

administrative