Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 120/2022 të Gjykatës Supreme, të 12 qershorit 2023

Nr. të lëndës KI260/23

Parashtruesit: E.H

Shkarko:

KI260/23, Parashtrues: E.H., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 120/202 të Gjykatës Supreme, të 12 qershorit 2023

KI260/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 marsit 2024, publikuar më 25 prill 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për jetë, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta në pronë, e drejta për jetë, kërkesë e papranueshme, moszbulim i identitetit   

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur kundër Korporatës Energjetike të Kosovës-Distribuimi në Prizren (në tekstin e mëtejmë: KEK), për largimin e shtyllës me konstruksion të metaltë të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së tij. Padia e parashtruesit të kërkesës u aprovua pjesërisht nga Gjykata Komunale, mirëpo pas ankesës së dorëzuar nga KEK-u, Gjykata e Qarkut e prishi vendimin e Gjykatës Komunale dhe ktheu çështjen për rivendosje. Në vitin 2010, në rivendosje, Gjykata Komunale e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe i njëjti vendim më vonë u vërtetua nga Gjykata e Qarkut. Gjykata e Qarkut, përmes aktgjykimit të saj, vlerësoi se KEK-u kishte filluar ndërtimin e largpërçuesit të tensionit të lartë Prizren-Suharekë në vitin 1960, se në vitin 1986 ishte bërë rekonstruimi i tij, duke përfshirë shtyllën metalike të vendosur në pronën e parashtruesit të kërkesës dhe se rrjedhimisht e paditura kishte të drejtën e kalimit të servitutit në pronën e tij. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, të cilin kjo e fundit e aprovoi pjesërisht, duke prishur aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në pjesën refuzuese. Në rivendosje, Gjykata Themelore aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ashtu që detyroi KEK-un që të largojë shtyllën me konstruksion të metaltë të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së tij, aktgjykim i cili më pas u vërtetua nga Gjykata e Apelit. Kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, KEK parashtroi revizion në Gjykatën Supreme të cilin kjo e fundit e aprovoi si të bazuar. Gjykata Supreme konstatoi se gjykatat e shkallës më të ulët gabimisht kishin zbatuar nenin 156 të LMD-së kur kishin urdhëruar largimin e largpërçuesit pasi që i njëjti ishte vendosur në mënyrë të ligjshme dhe se ekzistonte servituti në paluajtshmërinë ku gjendej.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 25, 31 dhe 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 2, nenin 1 të Protokollit nr. 1 dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës paraqiti pretendime lidhur me (i) mungesë të arsyetimit të vendimit; (ii) interpretim qartazi arbitrar të ligjit; (iii) cenim të parimit të sigurisë juridike; (iv) shkelje të së drejtës në pronë; dhe (v) rrezikim të jetës së tij dhe familjes së tij nga largpërçuesi.

Në këtë kontekst, Gjykata ritheksoi se parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 120/2022] e Gjykatës Supreme të Kosovës të 12 qershorit 2023. Megjithatë, fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore vërtetonte që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 14 korrik 2023, ndërkaq që parashtruesi  i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 30 nëntor 2023.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, dhe se është e papranueshme për shqyrtim.

Në fund, Gjykata, në pajtim me paragrafin 1 të rregullit 24 të Rregullores së punës dhe duke u bazuar në shkresat e lëndës, miratoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulim të identitetit.

 

Parashtruesit:

E.H

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile