Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit Komunal në Prizren nr. 01/011-4539 të 18 qershorit 2009

Nr. të lëndës KI 117/11

Parashtruesit: Ridvan Hoxha

Parashtruesi i kërkesës e ka parashtruar kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke kontestuar vendimin e Kuvendit Komunal të Prizrenit nr. 01/011-4539 të 18 qershorit 2009 me të cilin është dhënë prona komunale në shfrytëzim – pa kompensim të tokës bujqësore në sipërfaqe prej 5 – 6 hektarësh, e cila gjendet në rrugën lokale për fshatin Nashec, e evidentuar si pronë shoqërore e KK Prizren, për ndërtimin e kompleksit shkollor nga ana e qendrës edukativo-arsimore “Gulistan”. Si dhe vlerësimin e kushtetutshmërisë të kontratave që kanë rezultuar si pasojë e këtij vendimi duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese anulimin e këtij vendimi të paligjshëm dhe kontratave të lidhura në bazë të këtij vendimi.
Parashtruesi i kërkesës konsideron se janë shkelur neni 3 (Barazia para Ligjit), neni 24 (Barazia para Ligjit), neni 46 (Mbrojtja e Pronës) dhe neni 52 (Përgjegjësia për mjedisin jetësor) të Kushtetutës së Kosovës.
Duke vendosur në lidhje me kërkesën e parashtruesit Ridvan Hoxha, Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të procedurës në tërësi konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur argumente me të cilat do të provonte se ai është viktimë e drejtpërdrejtë e miratimit të këtij vendimit dhe kontratave të lidhura në bazë të këtij vendimi. Sistemi juridiko-kushtetues i Kosovës nuk parasheh actio popularis që është modalitet i ankesave individuale i cili i mundëson çdo individi i cili kërkon të mbrojë interesin publik dhe rendin juridik që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rastin e shkeljeve të tilla pa pasur statusin e viktimës.

Nga sa u tha më lart, Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk është palë e autorizuar për të kontestuar në abstrakt kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal dhe të kontratave të lidhura në bazë të këtij vendimi dhe rrjedhimisht kjo kërkesë duhet të shpallet e papranueshme duke mos hyrë në përmbajtjen e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesit:

Ridvan Hoxha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile