Prishtinë, më 5 korrik 2024
Nr. Ref.:MK 2473/24
MENDIM KONKURRUES
i gjyqtarit
RADOMIR LABAN
në
rastin nr. KI154/23
Parashtrues
Afrim Tafarshiku
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës AC. nr. 8304/2021, të 20 shkurtit 2023
Duke shprehur që në fillim respektin tim për mendimin e shumicës së gjyqtarëve se në këtë rast ka shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ),
Mirëpo, unë si gjyqtar i vetëm kam një mendim konkurrues lidhur me konkluzionin e shumicës dhe nuk pajtohem me mendimin e shumicës lidhur me efektet e vet aktgjykimit. Konsideroj se ka shkelje të së drejtës për barazi të armëve, por që ajo është e karakterit deklarativ.
Për sa më sipër, dhe në pajtim me rregullin 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, do të paraqes shkurtimisht mendimin tim konkurrues.
Unë si gjyqtar pajtohem me gjendjen faktike siç është deklaruar dhe paraqitur në aktgjykim dhe e pranoj të njëjtën gjendje faktike si të saktë. Gjithashtu, Unë si gjyqtar pajtohem me mënyrën se si janë parashtruar dhe paraqitur në aktgjykim pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe i pranoj të njëjtat si të sakta.
Gjithashtu pajtohem edhe me analizën juridike në lidhje me pranueshmërinë e rastit dhe qëndrimin e shumicës se ka shkelje të së drejtës për barazi të armëve, por që është e natyrës deklarative nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) KEDNJ-së siç është paraqitur në aktgjykim.
Megjithatë, nuk pajtohem me efektet juridike të këtij aktgjykimi, përkatësisht pikën III. Konsideroj se Gjykata është dashur të konstatojë shkelje të natyrës deklarative dhe të linte në fuqi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC. nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, sepse duke deklaruar të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC. nr. 8304/2021], të 20 shkurtit 2023, nuk arrihet asgjë në lidhje me të drejtën materiale të parashtruesit të kërkesës.
Konsideroj se asnjë parashtrues i kërkesës nuk do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese vetëm për të realizuar të drejtën e barazisë së armëve apo ndonjë të drejte tjetër rreptësisht procedurale, përkundrazi, çdo parashtrues i kërkesës do t’i drejtohej gjykatës për të realizuar një të drejtë thelbësore, përkatësisht një të drejtë efektive që ai konsideron se i përket atij.
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës iu drejtua gjykatës për të realizuar të drejtën e tij pronësore, përkatësisht kërkesëpadinë përmes së cilës kërkoi kompensimin e pagave jubilare, me propozimin që Gjykata Themelore ta aprovojë kërkesëpadinë, t'ia njohë të drejtën e pagesës prej 3 (tri) pagave jubilare, në një shumë të pacaktuar, me kamatë ligjore në lartësi prej 8%, si dhe për t'ia kompensuar shpenzimet e procedurës.
Detyra e gjykatës është që fillimisht të konstatojë nëse ka shkelje dhe ta korrigjojë të njëjtën duke i mundësuar parashtruesit të kërkesës të ushtrojë të drejtën thelbësore të cilën e ka kërkuar parashtruesi i kërkesës dhe jo t'i mundësojë atij një të drejtë procedurale që nuk është efektive.
Rikujtoj se më 20 shkurt 2023, Gjykata e Apelit, në Aktgjykimin [Ac. nr. 8304/2021] e aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruar nga punëdhënësi dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 3804/2018] të 5 dhjetorit 2019, ku refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në përmbajtjen e këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit nuk pasqyroi faktin nëse ka shqyrtuar përgjigjen ndaj ankesës së paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, të cilën në bazë të shkresave të lëndës e ka pranuar më 19 tetor 2021. Më tej, në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit vlerësoi si në vijim:
“Sipas vlerësimit të gjykatës se shkallës së dytë, aktgjykimi është në kundërshtim me provat që gjenden në shkresat e lëndës, përkatësisht aktgjykimi nuk përmban arsye për faktet vendimtare, - e në veçanti për kohën e arritjes së përvojës së punës prej 30 vite, respektivisht 40 vite - në emër të së cilës përvojë, paditësi ka kërkuar shpërblimin jubilar në vlerën e tri pagave bazë. Gjithashtu, gjendja faktike e konstatuar nga gjykata e shkallës së parë, nuk korrespondon drejtë me provat nga shkresat lëndore, meqë nga pohimet në padi dhe provat tjera në shkresa të lendes, rezulton se paditësi nga viti 1974 ka themeluar marrëdhënie pune te e paditura, nga i cili fakt rezulton se 40 vite përvoje pune ka arritur në vitin 2014, ndërsa ka iniciuar procedurën kontestimore me padinë e datës 21.12.2018, duke kërkuar detyrimin e të paditurës për pagesën e tri pagave në emër të shpërblimit jubilar.
Më tej, duke iu referuar dispozitave të nenit 87 të Ligjit nr. 03/L-212 i Punës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës), Gjykata e Apelit konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte e parashkruar pas vërtetimit të një gjendjeje të ndryshme faktike, përkatësisht se parashtruesi i kërkesës ka arritur në pjesën jubilare të punës në vitin 2014, prej së cilës ditë ka filluar të rrjedhë afati i parashkrimit.
Konkludoj se në rrethanat e rastit konkret, është konstatuar shkelja e së drejtës për barazi të armëve, sepse përgjigja ndaj padisë së parashtruesit të kërkesës nuk është vlerësuar ashtu siç është arsyetuar në vetë aktgjykim, por konsideroj se anulimi i aktgjykimit të kontestuar është krejtësisht i panevojshëm sepse parashtruesi i kërkesës nuk do të arrijë të realizojë të drejtën thelbësore që e ka kërkuar as në procedurën e përsëritur sepse e njëjta është qartazi e parashkruar, përkatësisht kërkesa e parashtruesit është dorëzuar jashtë afatit kohor.
Për sa më sipër, konkludoj se ka shkelje të së drejtës për barazi të armëve nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, por duke marrë parasysh rrethanat e rastit konkret, shumica e gjyqtarëve në aktgjykim është dashur te kishin konstatuar shkeljen e natyrës deklarative si një satisfaksion moral për parashtruesin e kërkesës, në mënyrë që të mos ekspozohej në mënyrë të panevojshme ndaj procedurave të reja gjyqësore dhe shpenzimeve shtesë, të cilat janë rreptësisht formale, në kuptim të mbajtjes së shqyrtimeve të reja gjyqësore pa mundësi që parashtruesi i kërkesës të ushtrojë të drejtën e tij thelbësore.
Mendimi konkurrues është paraqitur nga gjyqtari;
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
Më 28 maj 2024 në Prishtinë
Afrim Tafarshiku
KI - Kërkesë individuale
Urdhëra tjerë
Mendim konkurrues