KI84/22, Parashtruese: Slavica Đorđević, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 170/2021, të 19 tetorit 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qasje në gjykatë, e drejta e përdorimit të gjuhës zyrtare
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën KI84/22, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 170/2021] të 19 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) Aktvendimi [Rev. nr. 170/2021] i 19 tetorit 2021 i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe që (iii) Aktvendimi [Rev. nr. 170/2021] i 19 tetorit 2021 i Gjykatës Supreme, të shpallet i pavlefshëm dhe të kthehet në rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës.
Aktgjykimi fillimisht sqaron se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën e parashtrueses së kërkesës që (i) në kuadër të procedurave gjyqësore të lirohej nga pagesa e taksës gjyqësore në shumën prej njëmijë (1.000) euro, të paraparë për padinë e parashtruar, përmes së cilës kërkonte kompensim të dëmit; si dhe (ii) kishte propozim për caktimin e masës së sigurisë mbi pronën përkatëse kontestuese dhe lidhur me të cilën Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykimin KI86/18 në vitin 2021. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, kishin refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtrueses për lirim nga pagimi i taksës gjyqësore dhe shpenzimet procedurale. Përgjatë këtyre procedurave, bazuar në nenin 96 (pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, gjuha në procedurë ishte gjuha e parashtrueses së kërkesës, përkatësisht ajo serbe. Kërkesa e parashtrueses përkatëse për revizion në Gjykatën Supreme ishte refuzuar si e pasafatshme, vendimmarrje të cilën parashtruesja e kërkesës e ka kontestuar para Gjykatës, duke pretenduar cenimin e të drejtave të saj që burojnë nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kontekst të qasjes në drejtësi. Kjo sepse, kërkesa për revizion në Gjykatën Supreme (i) ishte dorëzuar brenda afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm nga momenti kur ishte pranuar në gjuhën serbe Aktvendimi përkatës i Gjykatës së Apelit; por jo (ii) brenda afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm nga momenti kur ishte pranuar në gjuhën shqipe Aktvendimi përkatës dhe të cilin parashtruesja e kërkesës kishte kërkuar ta pranoj në gjuhën e saj.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata, fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtën e qasjes në gjykatë, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përmes nenit 96 (pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, përcaktohet e drejta themelore e palëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë për të përdorur gjuhën e tyre amtare ose një gjuhë që ata e kuptojnë gjatë zhvillimit të procedurave para gjykatës, në rast se pala paraqet një kërkesë të tillë. Në rrethanat e rastit konkret, me kërkesën e palës, e tërë procedura gjyqësore ishte zhvilluar në gjuhën e zgjedhur të parashtrueses së kërkesës, me përjashtim të vendimmarrjes përfundimtare të Gjykatës së Apelit, përkundër faktit që bazuar në dispozitën e lartcekur, kjo gjykatë kishte detyrimin që palës të ia dorëzonte vendimin përkatës në gjuhën e zgjedhur në procedurë. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, kërkesa pasuese e parashtrueses për të pranuar vendimin përkatës në gjuhën e saj, kishte rezultuar në pasoja lidhur me afatet përkitazi me përdorimin e mjetit juridik në Gjykatën Supreme, fakt ky të cilin kjo e fundit kishte dështuar të marrë parasysh në rrethanat e rastit, duke rezultuar në cenimin e të drejtës së saj për qasje në gjykatë.
Aktgjykimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që, konstatimet e saj ndërlidhen vetëm me aspektin e qasjes në drejtësi në kontekst të garancive procedurale kushtetuese dhe në asnjë mënyrë nuk paragjykojnë vendimmarrjen meritore të Gjykatës Supreme gjatë rivendosjes së këtij rasti.
Slavica Đorđević
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile