Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr. 44/2024, të 4 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI167/24

Parashtruesit: N.T.SH. “PATRONI”

Shkarko:

KI167/24, Parashtrues N.T.SH. “PATRONI”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP.nr. 44/2024, të 4 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI167/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 tetorit 2024, publikuar më 19 nëntor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes, kërkesë e parakohshme, masë e përkohshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me zhvillimin e tri procedurave gjyqësore, por që relevante në rastin konkret, janë ato që ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit për konflikt administrativ kundër vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për lirimin e pronës, të cilën ia kishte dhënë me qira në shfrytëzim përmes një kontrate, afati i së cilës kishte skaduar. Së bashku me kërkesëpadinë, parashtruesi i kërkesës (ii) kishte parashtruar edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi për shkak të dëmit të pariparueshëm që mund t’i shkaktohej, e cila kërkesë në procedurë paraprake nga gjykata e shkallës së parë i ishte aprovuar, ndërsa nga ajo e shkallës së dytë në kuadër të Gjykatës Komerciale, sipas ankesës së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë i ishte ndryshuar ashtu që kërkesa e parashtruesit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kësaj ministrie, i ishte refuzuar. Gjykata Supreme po ashtu vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me (i) nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të: (a) zbatimit arbitrar të ligjit, respektivisht dispozitave të Ligjit përkatës për Konfliktet Administrative në lidhje me përmbushjen e kritereve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit administrativ; dhe (b) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor; si dhe (ii) me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evopiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të ndërhyrjes në të drejtën e tij të pronës, respektivisht në investimet e tij në parcelën e dhënë me qira.

Përkitazi me pretendimet që ndërlidhen me (i) zbatimin arbitrar të ligjit; dhe (ii) mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata konstatoi se të dyja këto pretendime bien në kategorinë e pretendimeve me  “mungesësmungesë evidente apo të dukshme të shkeljes” dhe si të tilla, i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, ndër të tjera, për shkak se në dritën e rrethanave të rastit konkret, (a) nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës Supreme; (b) parashtruesit të kërkesës i janë dhënë mundësitë procedurale për të adresuar pretendimet e tij dhe se në substancë, ai ka marrë përgjigje ndaj pretendimeve thelbësore të tij të parashtruara në kërkesën e tij për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, sa i përket plotësimit të kushteve ligjore për shtyrje te ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërsa, përkitazi me pretendimin në lidhje me shkeljen të së drejtës së pronësisë në investimet që i ka bërë në parcelën e dhënë me qira, Gjykata konstatoi se ky pretendim cilësohet si kërkesë e kategorisë të “kërkesës së parakohshme”, dhe e refuzoi në pajtim me nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, për shkak se parashtruesi njëkohësisht kishte parashtruar padi për kompensim të dëmit kundër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Gjykatën Komerciale, për të cilën padi ende nuk ka përfunduar procedura gjyqësore.

Parashtruesit:

N.T.SH. “PATRONI”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative