Aktvendim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimeve të KGJK nr.229/2020 dhe KGJK.nr.230/2020 të 29 shtatorit 2020 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në lidhje me procesin e emërimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI 164/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI164/20 Parashtrues: Rafet Haxhaj, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimeve të KGJK nr.229/2020 dhe KGJK.nr.230/2020 të 29 shtatorit 2020 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në lidhje me procesin e emërimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës 

KI164/20 Aktvendim për Papranueshmëri i datës 20 janar 2021, i publikuar më 15 shkurt 2021

Fjalët kyq: Kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, mos shterrje e mjeteve juridike, kërkesë për masë të përkohshme 

Parashtrues i kërkesës është Rafet Haxhaj nga Prishtina, i cili kërkoi vlerësimin e dy vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK), lidhur me procesin e emërimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), përkatësisht: a) Vendimin KGJ.nr.229/2020, të 29 shtatorit 2020; dhe, b) Vendimin KGJ.nr.230/2020, të 29 shtatorit 2020.

Parashtruesi i kërkesës ankohet lidhur me mos-zgjedhjen e tij në pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Supreme. Ai pohon se KGJK-ja gjatë procesit të përzgjedhjes nuk ka marr parasysh efikasitetin në punë, numri i lëndëve të zgjidhura nga ai në krahasim me dy kandidatët e rekomanduar. Parashtruesi i kërkesës thekson se efikasiteti në punë paraqet elementin thelbësor për fitimin e avancimit në funksionet publike, dhe ky kusht duhet që të merret në konsideratë kur një gjyqtar ngritët në detyrë. Lidhur me këtë ai pretendon se është diskriminuar gjatë vlerësimit nga Komisioni për Vlerësim të Performancës, Komisioni për Vlerësim dhe Intervistim dhe Komisioni për Rishqyrtim. Lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës pretendon se, KGJK me mos zbatimin adekuat të dispozitave kushtetuese ka cenuar të drejtat e tij për gjykim të drejtë, e drejta për mos diskriminim e drejta për të qenë i barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në procesin e rekrutimit dhe avancimit, e drejta për mjete juridike dhe e drejta për të qenë i pranishëm në seancën lidhur me shqyrtimin e ankesës.

Parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkoi vendosjen e masës së përkohshme për arsye se ai thekson se zbatimi i vendimeve të KGJK-së: “Vendimit KGJ.nr.229/2020 dhe KGJ.nr.230/2020 me te cilët janë avancuar ne detyre dy gjyqtar ne Gjykatën Supreme, do të ishte në vetvete edhe një cenim i mëtutjeshëm i të drejtave të garantuara, vetë zbatimi i këtyre vendimeve antikushtetuese do të privonte ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e funksionimit të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të gjitha vendimet e marra ku pjese e vendimmarrjes do të ishin gjyqtarët e avancuar do të mund të shpalleshin si të kundërligjshme, fakt ky i cili cenon parimin e sigurisë juridike të qytetarëve të Republikës së Kosovës”. 

Lidhur me këtë Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike nga neni 113.7 i Kushtetutës, neni 47 i Ligjit dhe rregulli 39 (1) (b) i Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë që çështjen e tyre ta paraqesin në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet t’i shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion sipas ligjit kundër aktgjykimit ose vendimit të kundërshtuar.

Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës, pas marrjes së vendimeve të KGJK-së, drejtpërdrejt iu drejtua Gjykatës Kushtetuese nga e cila kërkoi vlerësimin kushtetues të vendimeve të kontestuara në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë duke e bazuar kërkesën e tij pikërisht në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, më saktësisht në rastet KI99/14, KI100/14, në të cilat Gjykata i kishte liruar parashtruesit e kërkesës nga obligimi për shterim të mëtutjeshëm të mjeteve juridike për shkak të specifikës së pozitave të tyre, respektivisht pozitës në të cilën parashtruesit e kërkesës kishin aplikuar.

Gjykata pas analizimit të rastit, vlerëson se rasti i parashtruesit të kërkesës dallon dhe nuk është në mënyrë relevante i krahasueshëm me rastet KI99/14 dhe KI100/14, me ç’rast Gjykata ka dhënë arsyetim të detajuar përse parashtruesit e kërkesave në ato raste janë liruar nga obligimi për shterim të mjeteve juridike. (shih paragrafët relevantë lidhur me lirimin nga obligimi për shterim të mjeteve jurdike në rastet nr. KI99/14 dhe KI100/14, Parashtrues Shyqyri Syla dhe Laura Pula, Aktgjykim i 3 korrikut 2014).

Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, përveç mundësisë së kundërshtimit të procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve në Gjykatën Supreme në kuadër të KGJK-së, ligjet e aplikueshme u referohen edhe mjeteve tjera juridike të përcaktuara përmes Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (në tekstin e mëtejmë: LKA). Gjykata thekson se nenet 13 dhe 14 të LKA-së që ndërlidhen me mundësinë e inicimit të konflitkit administrativ përcaktojnë: (i) konfliktit administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë; (ii) konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurë administrative ankimi nuk është i lejuar; dhe, (iii) konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ sipas kërkesës apo ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj (shih rastin nr. KI147/18 të Gjykatës Kushtetuese, Parashtrues Arbër Hadri, Aktvendim për Papranueshmëri, i 4 shtatorit 2019, paragrafët 52 dhe 53).

Gjykata dëshiron të theksojë se në rastet KI145/15 dhe KI42/20 ka trajtuar kërkesa të ngjashme dhe se, ka nxjerrë Aktvendim për papranueshmëri sepse parashtruesit e kërkesës nuk i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të cilat, sipas ligjit, i kishin në dispozicion (shih rastet e Gjykatës: KI145/15, Parashtrues Florent Muqaj, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 nëntorit 2015, paragrafët 31-41 dhe KI42/20, Parashtrues Armend Hamiti, Aktvendim për Papranueshmëri i 29 korrikut 2020).

Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të arsyetojë se pse mjetet e rregullta juridike para gjykatave të rregullta për ndonjë arsye nuk i ishin në dispozicion të tij ose ishin joefektive në rrethana të veçanta të çështjes apo që ekzistonin rrethana të veçanta për shkak të të cilave ai do të lirohej nga obligimi për shterim të të gjitha mjeteve juridike. Nga sa më sipër, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtruesit kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike të në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës. Siç është konkluduar më parë, parashtruesi i kërkesës nuk i ka shterur mjetet juridike, prandaj edhe kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme u refuzua.

Parashtruesit:

Rafet Haxhaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative