Aktgjykim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, përkitazi me lëndën Ac. nr. 3930/2016 

Nr. të lëndës KI06/21

Parashtruesit: Dragan Mihajloviq

Shkarko:

KI06/21, Parashtrues: Dragan Mihajloviq, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, përkitazi me lëndën Ac. nr. 3930/2016 

KI06/21 Aktgjykim i 22 dhjetorit 2022, publikuar më 7 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, gjykim brenda afatit të arsyeshëm, efektet e aktgjykimit, kërkesë e pranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Kuvendit Komunal të Prizrenit, që sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, i kishte marrë pronën dhe për këtë nuk e kishte kompensuar. Për pasojë, më 27 dhjetor 2004, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Komunale në Prizren, duke kërkuar që të kompensohet për pronën në fjalë. Pas tri (3) vendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilat ishte aprovuar padia e parashtruesit të kërkesës dhe dy (2) vendimeve të Gjykatës së Apelit, përmes të cilave rasti i parashtruesit të kërkesës ishte kthyer në rigjykim, rasti i tij vazhdon të jetë në shqyrtim të sërishëm në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi tejzgjatjen e procedurave gjyqësore, me pretendimin se çështja e tij nuk është gjykuar brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi që gjykatat e rregullta nuk kanë vendosur ende lidhur me padinë e tij të paraqitur në vitin 2004 dhe si pasojë kanë shkelur garancitë e së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të përcaktuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimit të lartcekur të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, theksoi se, sipas këtyre parimeve, përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar, dhe vazhdon deri në nxjerrjen dhe zbatimin e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit. Ndërsa, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, bazuar në: (i) ndërlikueshmërinë e rastit; (ii) sjelljen e palëve në procedurë; (iii) sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe (iv) rëndësinë e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës në kontest.

Lidhur me periudhën që duhet të merret parasysh në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se periudha që duhet marrë parasysh në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për vendosjen e rastit të tij brenda një periudhe të arsyeshme, llogaritet nga data e parashtrimit së padisë, përkatësisht më 27 dhjetor 2004 e tutje, duke pasur parasysh që rasti i parashtruesit të kërkesës edhe pas më tepër se gjashtëmbëdhjetë (16) viteve pas paraqitjes së padisë ende është në pritje për t’u zgjidhur në Gjykatën e Apelit. Ndërsa, në aplikimin e kritereve përkitazi me arsyeshmërinë e tejzgjatjes së procedurave, Gjykata fillimisht konstatoi se, (i) megjithëse rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor me tre (3) palë të ndryshme të përfshira në procedurë, nuk rezulton të jetë i një natyre aq të ndërlikuar, sa që do të mund të justifikonte që procedura gjyqësore për zgjidhjen e kontestit përkatës të mos përfundojë as për më tepër se gjashtëmbëdhjetë (16) vite; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk ka kontribuar në tejzgjatjen e procedurës përmes veprimeve të tij por vetëm ka ndjekur hapat procedural për realizimin e të drejtës së tij për kompensim lidhur me pronën e kontestuar; ndërsa (iii) gjykatat e rregullta, as pas më tepër se gjashtëmbëdhjetë (16) vite, nuk kanë zgjidhur rastin e tij, pasi i njëjti ende pret për t’u zgjidhur nga Gjykata e Apelit sipas ankesës. Marrë parasysh aplikimin kumulativ të kritereve të lartcekura, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit përkatës, kohëzgjatja e procedurës nuk mund të konsiderohet e arsyeshme dhe se, për pasojë, ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm.

Në fund, marrë parasysh konstatimin e Gjykatës se kohëzgjatja e procedurave lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës përbën shkelje të së drejtës për një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, të përcaktuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata urdhëroi Gjykatën e Apelit që ta informojë sa më shpejt që është e mundur, por jo më larg se deri më 22 qershor 2023, lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të saj. Gjykata gjithashtu sqaroi që, ajo nuk e ka kompetencën e akordimit të kompensimit, por që bazuar në praktikën e saj gjyqësore, parashtruesi i kërkesës mund të shfrytëzoj mjetet juridike në dispozicion sipas legjislacionit në fuqi, për realizimin e mëtejmë të të drejtave të tij, duke përfshirë edhe të drejtën për të kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jomaterial, si rezultat i shkeljes së të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm siç është e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesit:

Dragan Mihajloviq

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile