KI24/18, Parashtruese: Jadranka Šapiċ – Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së përgjigjes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit të 8 shkurtit 2018 lidhur me vendimin e AKPS-së nr.MIT014-0020 të 12 janarit 2011
KI24/18, parashtruese: Jadranka Šapiċ, Aktvendim i 13 dhjetorit 2019 , publikuar më 17 janar 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjet juridik, mos shterje e mjeteve juridike
Parashtruesja me kërkesë në vitin 2007 i ishte drejtuar Zyrës Rajonale në Mitrovicë të Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit që asaj në cilësinë e kreditores nga masa likuiduese e Ndërmarrjes Shoqërore “Plastika” nga Skenderaj t’i paguhet kompensimi monetar në shumën e cekur në kërkesë e gjithmonë sipas Aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Mitrovicë P.br.333/94 të 9 gushtit 1995, i cili sipas parashtrueses ishte i formës së prerë.
Më 12 janar 2011, Komisioni i Likuidimit i N.SH. “Fabrika e Plastikës” nga Skenderaj, ka nxjerrë vendim nr. MIT014-0020, me të cilin e ka refuzuar kërkesën e parashtrueses, me arsyetimin se kërkesa e saj është parashkruar. Parashtruesja ka pohuar para Gjykatës se këtë vendim asnjëherë nuk e ka pranuar derisa në vitin 2018, nuk shkoi personalisht në zyrën Rajonale të AKP-së në Mitrovicë për t’u interesuar për kërkesën e saj, me ç’rast zyrtarët përgjegjës i shpjeguan asaj se vendimi i sipërpërmendur i është dërguar me postë dhe njëkohësisht ia dorëzuan edhe shkresat e lëndës.
Më 25 janar 2018, parashtruesja e kërkesës, nëpërmes të autorizuarit të saj, i ka dërguar një kërkesë Drejtuesit të Bordit të AKP-së në Prishtinë, me anë të së cilës ka sqaruar faktet e rastit dhe ka kërkuar nga ai që të obligojë Komisionin e Likuidimit që vendimin MIT014-0020 ta rishqyrtojë, ndërsa më 8 shkurt 2018, AKP i ktheu përgjigje parashtrueses së kërkesës.
Parashtruesja pretendon se me këto veprime të AKP-së asaj i është shkelur e drejta ne përdorimin e mjetit juridik dhe është anashkaluar fakti i efektit juridik të një vendimi “res judicata”.
Pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, fakteve të paraqitura në kërkesë dhe zbatimit të normave kushtetuese dhe të KEDNJ-së, në raport me ato fakte, Gjykata konstatoi:
Se edhe nën supozimin se, parashtruesja e kërkesës ka kuptuar për ekzistencën e një vendimi të Komisionit të Likuidimit të AKP-së, me të cilin u refuzua kërkesa e saj për shkak të parashkrimit, vetëm më 24 janar 2018, kur personalisht ka shkuar në AKP, asnjë pengesë ligjore nuk ka ekzistuar për ta parandaluar apo penguar parashtruesen që të kërkojë shqyrtimin e vendimit në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështjet që lidhen me AKP-në, dhe më pastaj, nëse eventualisht do të ishte e pakënaqur me vendimin e Kolegjit të Specializuar parashtruesja do të mund ta apelonte vendimin edhe në Kolegjin e Ankesave të kësaj Dhome të Gjykatës Supreme.
Prandaj, për arsyet e përmendura më lart, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses nuk i plotëson kriteret për pranueshmëri pasi që parashtruesja e kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 paragrafi 2 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Gjykata gjithashtu konstatoi se në rrethanat e rastit kur kërkesa e parashtrueses është e parakohshme, Gjykata nuk mund të shqyrtojë pretendimin për shkelje të së drejtës së pronës, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, respektivisht nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së.
Jadranka Šapiċ
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile