Vendim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 18 [Dorëzimi i gabuar i kërkesës te një organ që nuk ka kompetencë] të Ligjit Nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative

Nr. të lëndës KI 109/21

Parashtruesit: Selim Haidari

Shkarko:

KI109/21, Parashtrues: Selim Haidari, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 18 [Dorëzimi i gabuar i kërkesës te një organ që nuk ka kompetencë] të Ligjit Nr. 02/L-28 për Procedurën Administrative

KI109/21, Vendim për Refuzim, i 25 nëntorit 2021, publikuar më 9 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim për refuzim 

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës kishte bërë kërkesë për korrigjimin e mbiemrit pranë Drejtorisë së administratës së përgjithshme në Ferizaj, ku kjo e fundit ia refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Kundër vendimit të Drejtorisë së Administratës parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë  pranë Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku ky i fundit e kishte refuzuar ankesën e tij.

Duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, më 2 shtator 2021, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe nenin 48 të Ligjit, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë kërkesën e tij, duke: dorëzuar kopjet e dokumenteve dhe informatave tjera që mbështesin pretendimet e tij.

Parashtruesi i kërkesës dërgoi në Gjykatë një e-mail, ku theksoi se  ai nga Gjykata kërkon interpretimin e nenit 18 të Ligjit nr.02/L-028 për Procedurën Administrative, por nuk dorëzoi dokumentet e kërkuara nga gjykata.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se neni 18 i Ligjit Nr.02/L-028 për Procedurën Administrative, i shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 32 [ E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.  

Gjykata vërejti se Ligji nr.02/L-028 për Procedurën Administrative kishte hyrë në fuqi më 1 janar 2007, derisa ishte shfuqizuar me Ligjin Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative të datës 25 maj 2016. Po ashtu Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës nuk ka dorëzuar kopjet e dokumenteve dhe informatave tjera të cilat gjykata i ka kërkuar nga ai, mirëpo nga Gjykata ka kërkuar interpretim të një dispozite të një Ligji i cili nuk është në fuqi.

Andaj, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit të kërkesë nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë: (i) për shkak të mos kompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, dhe (ii) për shkak se pretendimi kryesor nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm , sepse  Ligji në fjalë është shfuqizuar. Prandaj, në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës, dhe rregullin 35 (4) dhe (5) të Rregullores së punës kërkesa u refuzua me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Selim Haidari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim