Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e  kushtetutshmërisë së (mos) veprimit  të Gjykatës Themelore në Prizren, për të proceduar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës në Gjykaten Supreme 

Nr. të lëndës KI171/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI171/21, Parashtrues: Lutfi Shantiri, kërkesë për vlerësimin e  kushtetutshmërisë së (mos) veprimit  të Gjykatës Themelore në Prizren, për të proceduar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës në Gjykaten Supreme 

KI 171/21, Aktvendim i 12 majit 2022, i publikuar më 6 qershor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontest pronësor, qasja në gjykatë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pronësor mes parashtruesit të kërkesës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame, dega në Prizren, në lidhje me dorëzimin në posedim të një paluajtshmërie, të ndodhur në Altmejdan, zona kadastrale Prizren, e cila pretendohej se ishte shfrytëzuar nga parashtruesi i kërkesës. Në lidhje me këtë kontest, Këshilli i Bashkësisë Islame parashtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prizren, e cila nëpërmjet Aktgjykimit C.nr. 501/2016, aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë e Këshillit të Bashkësisë Islame, detyroi parashtruesin e kërkesës që ta lirojë paluajtshmërinë, refuzoi kërkesëpadinë përkitazi me kompensimin e qerasë mujore prej 300 euro, në emër të shfrytëzimit të pabazë, dhe detyroi parashtruesin e kërkesës që në emër të shpenzimeve të procedurës, t’ia paguajë Këshillit të Bashkësisë Islame, shumën prej 15 euro. Ky Aktgjykim u apelua në Gjykaten e Apelit, si nga ana e parashtruesit të kërkesës ashtu edhe nga ana e Këshillit të Bashkësisë Islame. Gjykata e Apelit, përkitazi me ankesat e ndërgjyqësve, nxori Aktgjykimin Ac.nr.411/2017, nëpërmjet të cilit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, si dhe pranoi ankesën e Këshillit të Bashkësisë Islame, duke prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, përkitazi me pikën tre të dispozitivit që i referohej pagesës së qerasë në emër të shfrytëzimit të paligjshëm, duke e kthyer të njëjtën në rivendosje në këtë të fundit. I pakënaqur me vendimmarrjen e Gjykatës së Apelit parashtruesi i kërkesës, nëpërmjet Gjykatës Themelore në Prizren, kishte parashtruar  kërkesë për revizion në Gjykaten Supreme.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për faktin se sipas bindjes së tij administrata e Gjykatës Themelore në Prizren nuk e kishte proceduar kërkesën e tij për revizion në Gjykaten Supreme, e cila ishte ushtruar kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Kushtetuese, fillimisht i shtjelloi kriteret e pranueshmërisë se kërkesës sipas Kushtetutes, Ligjit dhe Rregullores së punës. Më pas, në mënyrë specifike ajo shtjelloi parimet e përgjithshme të së drejtës për “qasje në gjykatë” bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e saj, për t’i aplikuar më pas të njëjtat në rastin konkret. Meqë pretendimet e parashtruesit të kërkesë ngrënin çështje kushtetuese të cenimit të së drejtës për qasje në gjykatë, Gjykata, para se të konkludonte në lidhje me kërkesën, i është drejtuar me kërkesa të veçanta Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës Supreme, për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur me kërkesën për revizion të dorëzuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore në Prizren. Në lidhje me këtë, Gjykata Supreme informoi Gjykatën se përkitazi me revizionin e ushtruar nga parashtruesi i kërkesës, e njëjta më 13 gusht 2021, kishte nxjerrë Aktvendimin Rev.nr.343/2021, nëpërmjet të cilit e kishte hedhur poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës, si të pasafatshëm. Sipas informatave të pranuara nga Gjykata Themelore në Prizren, Gjykata vërejti se aktvendimi në fjalë i është dorëzuar personalisht parashtruesit të kërkesës, më 20 shtator 2021, që nënkuptonte se ai kishte dijeni për vendimmarrjen e Gjykatës Supreme para 25 tetorit 2021, datë në të cilën ai e kishte dorëzuar formularin e plotësuar të kërkesës së bashku me dokumentacionin mbështetës. Gjykata, duke i pasur parasysh shkresat e lëndës, erdhi në përfundimin se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për “qasje në gjykatë ” nga ana e Gjykatës Themelore në Prizren, ishin të pambështetura në prova materiale, sepse shkresat e lëndës konfirmonin të kundërtën e pretendimeve të tij, se atij i është pamundësuar ushtrimi i kësaj të drejte në mënyrë efektive në Gjykatën Supreme, për shkak të mosprocedimit të kërkesës për revizion nga ana e Gjykatës Themelore në Prizren. Për më tepër, Gjykata konkludoi se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar po ashtu në mënyrë efektive ushtrimi i mjetit juridik (revizioni), kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të 2 shkurtit 2021.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe shkresat e lëndës konstatoi se pretendimet e tij në lidhje me shkeljen e të drejtës për “qasje në gjykatë” të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i përkisnin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (b) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Lutfi Shantiri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile