Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, AC. nr. 4981/2017, të 15 majit 2018

Nr. të lëndës KI 39/19

Parashtruesit: Raif Maloku

Shkarko:

KI39/19, Parashtruesi i kërkesës: Raif Maloku, Kërkesë për vlerësimin e  kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, AC. nr. 4981/2017, të 15 majit 2018

KI39/19, Aktvendim për papranueshmëri i 15 janarit 2020, publikuar më 20 shkurt 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, zgjidhja e martesës, dy procedura gjyqësore, aktvendim për papranueshmëri  

Parashtruesi i kërkesës paraqiti padinë për zgjidhjen e martesës në Gjykatën Themelore në Gjilan kundër bashkëshortes e cila aktualisht qëndron në Zvicër.

Më 14 prill 2015 është mbajtur seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore sipas padisë së parashtruesit të kërkesës. Gjatë gjykimit, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në gjykatë një dokument të lëshuar nga autoritetet zvicerane. Pas leximit të këtij dokumenti, gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës, më 13 janar 2014, kishte iniciuar në Zvicër procedurën për zgjidhjen e martesës me bashkëshorten dhe se kjo procedurë është në zhvillim e sipër, ndërsa padinë për zgjidhjen e martesës në Gjykatën Themelore në Gjilan e kishte paraqitur më 13 gusht 2014.

Rrjedhimisht, Gjykata Themelore, në të njëjtën ditë, nxori Aktvendimin C. nr. 568/2014, me të cilin e hodhi poshtë si të palejueshme kërkesëpadinë e parashtruesit për zgjidhje të martesës.

Parashtruesi i kërkesës është ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila e hodhi poshtë ankesën si të pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën e Apelit kërkesën për përsëritje të procedurës kontestimore, e cila është refuzuar nga gjykata si e pabazuar.

Duke pasur parasysh faktet e rastit, Gjykata konkludoi se parashtruesi kishte zhvilluar dy procedura gjyqësore dhe se të dyja kishin përfunduar me vendime të formës së prerë.

Lidhur me këtë, duke marrë parasysh datën e nxjerrjes së aktvendimit të formës së prerë në procedurën e parë gjyqësore, Gjykata konkludoi se ajo është jashtë afatit dhe e hodhi poshtë në pajtim me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.

Ndërsa sa i përket procedurës së dytë gjyqësore, Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilat Gjykata mund t’i shqyrtojë vetëm në lidhje me kërkesën për përsëritje të procedurës gjyqësore, rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën e saj gjyqësore, sipas së cilës neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së nuk zbatohen në kërkesat për rishikimin ose përsëritjen e procedurës, prandaj, procedurën e dytë gjyqësore, Gjykata e hodhi poshtë sepse nuk është ratione materiae në pajtim me nenin 39 (3) (b) të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

Raif Maloku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile