Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 70/2023] të Gjykatës Supreme, i 26 korrikut 2023

Nr. të lëndës KI249/23

Parashtruesit: Halidin Aliu

Shkarko:

KI249/23, Halidin Aliu, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 70/2023] të Gjykatës Supreme, i 26 korrikut 2023

KI249/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 korrikut 2024, publikuar më 28 gusht 2024

Fjalët kyçe: kontrata kolektive; paga jubilare; divergjenca e praktikës gjyqësore;

Parashtruesi i kërkesës ishte shërbyes civil në Komunën e Dragashit. Pas pensionimit, ai kërkoi nga komuna dy paga përcjellëse dhe tre paga jubilare sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ia refuzoi kërkesën e tij. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore dhe kërkoi anulimin e vendimit të komunës. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë me arsyetimin se, Marrëveshja Kolektive ishte në fuqi nga viti 2015 deri më 2017, ndërsa parashtruesi i kërkesës ishte pensionuar në vitin 2020. Në lidhje me pagat jubilare, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paraqitur kërkesën brenda afatit ligjor. Edhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme vërtetuan vendimin e Gjykatës Themelore dhe arsyetuan se në kohën e pensionimit të parashtruesit të kërkesës, nuk ishte në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta shkelën të drejtën e tij për gjykim të drejtë gjyqësor, për shkak se në disa raste të tjera identike kishin miratuar kërkesëpaditë e palëve. Parashtruesi i kërkesës i referua 3 vendimeve të Gjykatës Themelore dhe 1 vendimi të Gjykatës së Apelit.

Gjykata ritheksoi se nuk është detyrë e saj të krahasojë vendimet e gjykatave të rregullta. Kur palët ngritin pretendime për divergjenca të praktikës gjyqësore, duhet të dëshmojnë ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve krahasuese në raport me rastet e tyre. Në rastin konkret, Gjykata vërejti se vendimet të cilave i referohet parashtruesi i kërkesës nuk kishin situata të njëjta faktike dhe juridike, përkundër që kishin të bënin me paga pas pensionimit dhe paga jubilare. Po ashtu, vendimet të cilave i referohet parashtruesi i kërkesës nuk ishin të formës së prerë. Gjykata i shpalli pretendimet e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara.

Parashtruesit:

Halidin Aliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile